Bashkëlojtarët

Draxler tregon se Neymar nuk e ka problem të përshtatet në secilën pozitë

Futbollisti gjerman, Julian Draxler ka treguar se reprezentuesi i Brazilit, Neymar nuk ka një rol fiks te Paris Saint Germaini.

Neymar ka shënuar 11 gola në 12 paraqitje këtë sezon në Ligue 1, ndërsa është përdorur nga Tuchel në krahun e majtë të sulmit dhe si numër 10.

Klubi francez javën e kaluar lëshoi një komunikatë ku qartësohej se Neymar nuk do të largohet nga PSG-ja për të qenë në rregull me Fair Play-n Financiar (FFP), gjersa Draxler i ka lavdëruar vlerat e ish sulmuesit të Barcelonës.

“Ne e dimë se Neymar ka shkathtësi të shumta. Ai është një lojtar i madh dhe ne mundohemi ta gjejmë gjithkund në fushë. Nëse ai luan në të majtë e kërkojmë në atë anë, nëse luan si numër 10 e kërkojmë në qendër. Atij nuk i intereson se në cilin pozicion luan, sepse mundohet të jetë në secilën pjesë të fushës”, theksoi Draxler.

Neymar ka realizuar gol në tre ndeshjet e fundit të PSG-së, dhe për Draxler synim kryesor është të gjejë 26 vjeçarin të lirë.

Fitorja ndaj Crvena Zvezdës në Beograd të martën në mbrëmje, do t’i mjaftonte Paris Saint Germainit të kualifikohet për në fazën me eliminim direkt të Champions Leagues.