Galatasaray ka bërë hap të madh drejt një të tetës së finales në Ligën e Kampionëve.

Gjiganti turk fitoi të martën mbrëma në Stamboll ndaj Juventusit me rezultatin e thellë, 5:2. Ishte kjo ndeshja e parë e plejofit të fazës nokaut të Championsit.

Ndeshja ishte dramatike, por në fund fitorja e Galatasarayt shumë e thellë. Kështu skuadra turke është në pozitë shumë të mirë para ndeshjes së kthimit që zhvillohet në Torino më 25 shkurt.

Gabriel Sara shënoi për 1:0 në të mirë të Galatasarayt në minutën e 15-të.

Në aksionin vijues, Juve barazoi. Teun Koopmeiners ishte realizator në minutën e 16-të.

I njëjti lojtar shënoi për epërsinë 2:1 të Juventusit, në minutën e 32-të.

Shifrat nuk ndryshuan në pjesën e parë.

Por turqit ishin të vendosur për fitore në pjesën e dytë. Noa Lang barazoi në 2:2 në minutën e 49-të. Në minutën e 60-të për 3:2 shënoi Davinson Sanchez.

Gjërat u bënë më të lehta për vendasit në minutën e 67-të kur u përjashtua Juan Cabal i Juves.

Epërsinë numerike e shfrytëzoi Galata që shënoi për 4:2 në minutën e 74. Kurse për 5:2 realizoi Sacha Boey në minutën e 86-të.

Edon Zhegrova qëndroi vetëm në stol në mbrëmjen e vështirë të Juventusit.