Douglas Costa ka zbuluar se kishte dyshime rreth Cristiano Ronaldos, pasi ky i fundit u bashkua me Juventusin, por pranon se portugezi i fitoi të gjithë shumë shpejt në Itali.
Ronaldo erdhi nga Real Madridi verën e kaluar për një marrëveshje prej 112 milionë eurosh.
Pesë herë fituesi i “Topit të Artë” e ka justifikuar deri më tani investimin e klubit bardhezi, duke qenë pararojë e kryesimit të Serie A dhe shkuarjes në çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Futbollisti 34-vjeçar shënoi një “tripletë” në 1/8 finale, duke përmbysur Atletico Madrid 3-0 në Torino, pas disfatës 2-0 në “Wanda Metropolitano”.
Ylli portugez ka shënuar 24 gola në të gjitha garat, në sezonin e tij të parë me Juventusin. 19 prej tyre janë realizuar në Serie A. Bashkëlojtari bardhezi, Douglas Costa, zbuloi shqetësimet e tij fillestare rreth dhomës së zhveshjes, se ajo do të bëhej e paqëndrueshme:
“Besoni apo jo, por kur u bisedua për ardhjen e Cristiano Ronaldos, unë pyeta: cila do të jetë tashmë situata në dhomën e zhveshjes? Ne të gjithë duhet ta duam njëri-tjetrin si shokë ekipi, sepse të tërë kërkojmë një vend në ekip, por Cristiano i fitoi të gjithë shumë shpejt. Ai është një djalë i thjeshtë dhe që dëshiron vetëm të fitojë. Juventusi po kërkonte një lojtar me mentalitetin e tij, kështu që ai na ka dhënë shumë.
Kur mbërriti, mendova nëse lojtari më i mirë në botë është bashkuar me ne, apo jo? Me të, klubi u përmirësua në çdo aspekt, kontributi i tij është i dukshëm. Ai shënon gola çdo javë, ka sjellë më shumë tifozë në stadium dhe ne shpresojmë të fitojmë gjëra të mëdha, të bëjmë histori me të”.







