Dosja e Prokurorisë për vrasjen e trefishtë në Gllogjan, si u betua familja Mehmetaj për hakmarrje gjatë varrimit të vajzës së tyre

Të mërkurën më 21 qershor, në seancën fillestare në Gjykatën Themelore në Pejë, tre të akuzuarit Kastriot, Kreshnik dhe Halil Mehmetaj, u deklaruan të pafajshëm lidhur me akuzën për vrajsen e trefishtë më 26 nëntor 2021 në Gllogjan, ku kishin mbetur të vdekur dy nxënës dhe shoferi i autobusit.

Deklarimin rreth fajësisë, tre të akuzuarit e bënë pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Sahide Gashi.

Tre të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm lidhur me veprat penale “Vrasje e rëndë”, “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje”, “Shtytje në vrasje të rëndë” dhe Armëmbajtje pa leje.

Në dosjen e Prokurorisë të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, përshkruhet në detaje se si ishte planifikuar vrasja nga të akuzuarit si dhe motivet që i shtynë ata për kryerjen e këtij akti.

Sipas aktakuzës, cak i vrasjes kishte qenë shoferi i autobusit, tani i ndjeri G.Gj. dhe se vrasje kishte ndodhur si hakmarrje, pasi familja Mhmetaj e kishin ka fajësuar atë si shkaktar të vetëvrasjes së vajzës së tyre H.M.

Në aktakuzë thuhet se, i pandehuri Halil, ishte betuar në hakmarrja ndaj tani të ndjerit G.Gj., si dhe me rastin e ceremonisë së varrimit të të ndjerës vajzës së tij në arkivolin e saj vendos orën e tij të dorës.

Po ashtu në aktakuzë përshkruhet se si të akuzuarit e lartcekur në  marrëveshje e bashkëveprim me njëri tjetrin kishin studiuar terrenin me kujdes, duke u siguruar se nuk ka mbulueshmëri të kamerave dhe shtëpi në afërsi, duke i zënë priten autobusit që vinte nga Gjakova në drejtimin e Gllogjanit dhe pastaj njëri nga ta kishte qëlluar me armë zjarri në drejtim të tij, duke i lënë të vdekur tre persona.

Aktakuza e plotë e përpiluar nga Prokuroria Themelore e Pejës:

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, me datë 5 maj 2023,  ngarkon të pandehurit Kastriot dhe Kreshnik Mehmetaj, se me datën 26 nëntor 2021, rreth orës 18:58 minuta në fshatin Gllogjan, Komuna e Deçanit, saktësisht në rrugën “Ismajl Haradinaj”, të shtyrë nga hakmarrja e paskrupullt, në marrëveshje e bashkëveprim me njëri tjetrin, privojnë nga jeta tre persona, dy prej tyre të cilët ishin fëmijë.

Në aktakuzë thuhet se, pasi që paraprakisht ata kishin studiuar terrenin me kujdes, duke u siguruar se nuk ka mbulueshmëri të kamerave dhe shtëpi në afërsi dhe duke e ditur kohën e saktë të arritjes së autobusit “Erblini”, nga Gjakova në drejtimin e Gllogjanit në turnin e fundit, të cilin e drejtonte tani i ndjeri G., me nxënës dhe pasagjerë në të.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri Kastriot merr pushkën automatike AK-47, prodhim shqiptar të kalibrit 7.62x39mm dhe niset në këmbë deri tek vendi i ngjarjes, në krahun e djathtë të rrugës dhe me të vërejtur dritat e autobusit në fjalë, del në mes të rrugës i kthyer më shpinë kah autobusi që po arrinte dhe me qëllim që të njëjtin ta detyrojë të ulë shpejtësinë apo ndaloj, bënë sikur është i dehur dhe kur shoferi fillimisht e sinjalizon me drita të gjata e pastaj edhe ulë shpejtësinë i pandehuri Kastriot në distancë prej rreth 6 metrash kthehet në drejtimin e autobusit dhe merr shënjestër shoferin e autobusit tani të ndjerin G.Gj. dhe e godet për vdekje, po ashtu godet për vdekje dhe L.H 17 vjeçar, dhe G.M 17 vjeçare, si dhe i shkakton lëndime të rënda trupore F.T.

Tutje thuhet se i pandehuri Kastriot ka rrezikuar jetën e pasagjerëve tjerë: B.H., A.B., A.Z., B.M., dhe E.O, të cilët ishin në ato momente prezentë në autobus, dhe më pas i njëjti kalon nga krahu i majtë i autobusit, i cili kishte dalë jashtë rrugës, dhe vazhdon në fshatin Shaptej, ku në mes të rrugës ishte duke e pritur me veturë i pandehuri Kreshnik dhe merr rrugën e kthimit pa u hetuar për në shtëpi dhe pastaj shkatërrojnë armën.

Me tej në aktakuzë thuhet se, kjo vrasje kishte ardhur si hakmarrje për shkak të vetëvrasjes së H.M. e cila kishte ndodhur me datën 14 qershor 2020, për të cilin akt familja Mehmetaj e kanë fajësuar tani të ndjerin G.Gj.

Për këto veprime prokuroria ata i ngarkon se si bashkëkryerës kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”, nga neni 173, par.1, nënpar. 1.1, 1.5, 1.8, e 1.11, lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Tutje në aktakuzës, thuhet se i pandehuri Halil Mehmetaj, nga data 14 qershor 2020, gjerë me datën 26 nëntor 2021, në fshatin Gllogjan, Komuna e Deçanit, në rrugën “Ismajl Haradinaj”, ka shtyrë të pandehurit Kastriot dhe Kreshnik Mehmetaj, në vrasjen e tani të ndjerit G.Gj., të cilin para tyre e ka fajësuar si shkaktar të vetëvrasjes së vajzës së tij H.M, ku për më tepër thuhet se ishte betuar në hakmarrja, si dhe me rastin e ceremonisë së varrimit të të ndjerës në arkivolin e saj vendos orën e tij të dorës.

Ai ngarkohet se ka kryer veprën penale “Shtytje në vrasje të rëndë”, nga neni 32, lidhur me nenin 173, par.1, nënpar. 1.1, 1.5, 1.8, e 1.11, të KPRK-së.

Gjithashtu aktakuza i ngarkon të pandehurit Kastriot, Kreshnik dhe Halil Mehmetaj, që në kohë të pacaktuar e gjerë me datën 11 dhjetor 2021, në fshatin Gllogjan, Komuna e Deçanit, në shtëpinë e tyre në kundërshtim me nenin 5 par.1, të Ligjit për Armë, mbajnë në pronësi, posedim e kontroll municion, armë e municion, ku në rastin e kontrollit nga ana e policisë, këta të fundit gjejnë dhe sekuestrojnë, 156 fishek të armës “AK-47” të tipit “Kallashnikovë”, një karikator i shkurtë i armës “AK-47”, “Kallashnikovë”, 6 fishek të armës së gjuetisë 12mm, për të cilat është konstatuar se nuk kanë leje nga organet kompetente, si dhe 6 pajisje ushtarake.

Me këtë thuhet se kanë kryer vepër penale “Mbajta në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366 par.1, lidhur me nenin 31 të KPRK-së./BetimipërDrejtësi