Dortmundi fiton me rikthim të rezultatit

Borussia Dortmundi e ka fituar edhe ndeshjen e dytë të elitës së futbollit gjerman.

Të premten mbrëma, Dortmundi fitoi në udhëtim te Freiburgu me rezultatin 3:1, me rikthim të rezultatit. Ishte ndeshje e xhiros së dytë e Bundesligës gjermane.

Skuadra “verdhezi” e pa veten në disavantazh që në minutën e 35-të.

Për skuadrën e Freiburgut shënoi sulmuesi austriak, Michael Gregoritsch.

Rikthimi i madh i Dortmundit nisi në minutën e 77-të.

Anglezi 18-vjeçar, Jamie Bynoe-Gittens, barazoi shifrat fillimisht.

Shtatë minuta më vonë, për 2:1 realizoi sulmuesi 17-vjeçar, Youssoufa Moukoko.

Rezultatin final e vulosi Marius Wolf, dy minuta para fundit të takimit.

Pas dy ndeshjeve të luajtura, Dortmundi ka po aq fitore dhe është në krye të tabelës.

Ka gjashtë pikë, tri më shumë se Bayerni, Freiburgu, Union Berlini, Borussia Moenchengladbachu, Koelni dhe Mainzi.