Dorëzimi numër 2 i Kurtit brenda pak ditësh| Pas targave, kryeministri heq dorë edhe nga zgjedhjet në veri

I kishte rritur pritjet maksimalisht, madje i refuzonte kërkesat amerikane dhe evropiane për shtyrjen e vendimit për targat RKS, me aq lehtësi sa që kishte dyshime se në anën e kujt është kryeministri Albin Kurti.

Mirëpo, vetëm tri ditë pasi e përmbylli takimin maratonik me Vuçin dhe Borrellin në Bruksel, Kurti pranoi shtyrjen e vendimit për targat, duke i lënë gojë hapur të gjithë ata që besonin se “më në fund veriu po integrohet me Kurtin”.

Si pasojë e refuzimit fillestar të Kurtit që t’i dëgjojë amerikanët për targat, serbët në veri u larguan në institucionet e Kosovës në mënyrë masive. Dorëheqje dhanë kryetarët e katër komunave veriore, policët, prokurorët, gjyqtarët, etj.

Dorëheqja e kryetarëve të komunave bëri që presidentja Osmani t’i shpallë zgjedhjet atje duke e caktuar 18 dhjetorin si datë për mbajtjen e tyre. Mirëpo, sulmet e vazhdueshme në veri, hedhja e bombave, plagosja e policit dhe vendosja e barrikadave e shtynë Kurtin edhe një herë që të tërhiqet nga vendimi sovran, siç ka dëshirë ai t’i quaj deklaratat e tij të fuqishme për veriun.

Kështu që sot, presidentja Osmani, që nga opozita dhe analistët cilësohet si “noterja e Kurtit”, vendosi që zgjedhjet në veri t’i shtyjë për 23 prill të vitit të ardhshëm.

Tash shtrohen pyetje e zakonshme dhe legjitime se ku mbetën premtimet dhe deklaratat e fuqishme të Kurtit se Kosova është vend sovran dhe vendos vetë se çka bën dhe si ai bën në veri. /Demokracia.com/