Lajmi i fundit

Dorëhiqet Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së, ditë më parë ishte takuar me Abelard Tahirin

Prokurori i Përgjithshëm Jeff Sessions dha dorëheqjen me kërkesë të Presidentit Donald Trump.

Prej kohësh Presidenti Trump kishte sinjalizuar planet për shkarkimin e zotit Sessions, i cili e kishte revoltuar presidentin kur u tërhoq nga hetimi për Rusinë që aktualisht po drejtohet nga Prokurori i Posaçëm, Robert Mueller.

Largimi i zotit Sessions e bën të paqartë fatin e zëvendësit të tij Rod Rosenstein, i cili është zyrtari i Departamentit të Shtetit që mbikqyr zyrën e Prokurorit të Posaçëm, Robert Mueller.

Të kujtojmë se vetëm katër ditë më parë ministri kosovar i Drejtësisë, Abelard Tahiri e kishte takuar Sessions në SHBA, shkruan Ballkani.info.

Në njoftimin e ministrisë thuhej se ministri Tahiri ka shprehur gatishmërinë e institucioneve të rendit dhe ligjit në Republikën e Kosovës për të vazhduar në mënyrë të fuqishme dhe me efikasitet luftën kundër terrorizmit, trafikimit, narkotikëve dhe pastrimit të parave.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, është pritur në takim nga i pari i drejtësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Prokurori i Përgjithshëm, Jeff Sessions.

Në takim e mbajtur në Departamentin e Drejtësisë, Ministri Tahiri ka shprehur konsideratë të lartë për angazhimin dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Republikës së Kosovës dhe në veçanti për sektorin e sundimit të ligjit. /Ballkani.info/