Portieri italian

Donnarumma “përulet” para Buffon: Më ka dhënë shumë, model frymëzimi për të gjithë ne

Gianluigi Donnarumma, portieri i Italisë, ka folur në një konferencë për shtyp para ndeshjes miqësore kundër Venezuelës.

Si mund të ndihmojnë sfidat kundër Venezuelës dhe Ekuadorit në përgatitjen për Kampionatin Evropian?

Të gjitha ndeshjet janë të rëndësishme për ne, që të jemi sa më gati për të luajtur në Kampionatin Evropian. Do ta vlerësojmë çdo ndeshje si përpjekje për të shtuar bagazhin tonë.

Si i keni kushtet, a jeni stërvitur veçmas dje?

Jam mirë, jam stërvitur me trajnerin e portierëve, jo në mënyrë të diferencuar. Kam bërë punë të alternuar me ekipin.

Cilat do të jenë aspektet vendimtare në ndeshjen kundër Venezuelës?

Jemi duke u përgatitur për ndeshjen, kemi filluar me analizat e kundërshtarit. E dimë që Venezuela është një ekip shumë fizik dhe duhet të jemi gati për çdo gjë. Do ta përgatisim në mënyrën më të mirë me trajnerin.

Si ju pritën në Amerikë? A e dinit që duhej të luanit kundër Perusë? Si e vlerësoni Lapadulën?

Na pritën mirë, jemi të lumtur që jemi këtu. Federata ishte e prirur për këtë udhëtim, për të treguar afërsinë tonë me bashkatdhetarët e këtushëm, do të përpiqemi t’i argëtojmë ata. Nuk e dija se do të duhej të përballeshim me Perunë. Kemi luajtur së bashku me Lapadulën, ai është një djalë shumë i mirë, flasim shpesh. Jam i kënaqur me atë që po bën.

Çfarë do të thotë për ju prania e Buffon në stafin stërvitor?

Kam pasur fatin ta kem pasur edhe shok skuadre në kombëtare. Ai më dha shumë, e kam pasur si model frymëzimi. Më ka dhënë një dorë të madhe. Ai ishte portieri më i mirë në historinë e futbollit dhe mundem vetëm të mësoj prej tij. Është e rëndësishme që e kemi këtu, një lider i madh, i dëgjojmë të gjitha mësimet e tij. Na bën krenar si kombëtare”.