Donjeta Sadiku mposhtet në turneun kualifikues të Parisit

Boksierja më e mirë e Kosovës, Donjeta Sadiku, është mposhtur në ndeshjen e parë në turneun kualifikues që po mbahet në Paris të Francës.

Sadiku 21-vjeçare u mposht nga boksierja suedeze, Agnes Alexiusson, me rezultatin 3:2. Me këtë humbje, boksierja më e mirë kosovare e humb mundësinë që të shkojë në Japoni për Lojërat Olimpike me normë. I kishte në program t’i zhvillojë dy meçe, e i janë dashur dy fitore në kategorinë e saj 60 kilogramë.

Ky turne nisi vitin e kaluar, por u ndërpre për shkak të përhapjes së koronavirusit. Sadiku e kishte fituar ndeshjen e parë ndaj gjermanes Maya Kleinhans.

Përgatitjet për këtë turne kualifikues për “Tokio 2020”, Sadiku i kreu në Finlandë dhe Bullgari.

Ajo e ka të fituar një medalje të argjendtë në turneun e mbajtur në tetor, në Sofje të Bullgarisë. Suksesin më të madh e ka në vitin 2016-të, kur e fitoi medaljen e artë në Kampionatin Evropian për të reja të mbajtur në Ordu të Turqisë.

Dy herë iu pamundësua pjesëmarrja në Botëror, një si juniorë dhe një si seniore, që të dyja në Indi. Shteti indian ishte pengesë për të pasi nuk e njeh shtetësinë e Kosovës.

Aktualisht, Kosova i ka të konfirmuara gjashtë norma olimpike për “Tokio 2020” që zhvillohet këtë verë. Pesë prej normave olimpike vijnë nga sporti i xhudos dhe një nga mundja.