Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla në shtator të vitit 2017-të nuk ishte në linje më partinë e tanishëm të koalicionit, Lëvizjen Vetëvendosje e cila udhëhiqet nga Albin Kurti.

Gërvalla në atë kohë ishte përkrahëse e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), në Gjermani. Madje ajo përmes një postimi në rrjetin social Facebook kishte bërë thirrje publike që mërgata në Gjermani mos të votojnë për partnerët e VV-së.

“VV të gjitha sfidat në Kosovë i paska kry e tash po na tregon se kë duhet të votojnë shqiptarët në Gjermani. Të dashur shqiptarë me të drejtë vote në Gjermani. Votoni kë t’jau marrë mendja, por kujdes, mos e votoni partnerin e VV-së në Gjermani, partinë e majtë ‘Die Linke’’, kishte shkruar ajo.

E para e politikës së jashtme të Kosovës kishte kërkuar nga mërgata shqiptare që në zgjedhjet e vitit 2017-të të votoni partitë tradicionale që angazhohen për Kosovën në anëtarësimin në NATO.

“Janë miqtë e vetëm të Putinit dhe të Vuçiqit në Gjermani, kundërshtarët më të mëdhenj të angazhimit për Kosovën në këtë vend demokratik dhe të përparuar. Votoni partitë tradicionale, ato që përkrahën ndërhyrjen e NATO-s për çlirimin e Kosovës dhe jo partnerët e VV, të cilët në vitin 1999, në kohën kur bota e civilizuar kërkonte zgjidhje për Kosovën dhe qytetarët e saj, shkonin dhe takoheshin me xhelatin e Millosheviq dhe përcillin mesazhet e tij në parlamentin gjerman”., kishte shkruar tutje ajo.

Donika Gërvalla kishte thënë se ky reagimi ishte i nevojshëm për Lëvizjen Vetëvendosje.

“Në fakt, edhe ky koment i imi krejt i panevojshëm, sepse ju të gjithë këtu keni qenë dhe i keni ndjekur zhvillimet e atëhershme dhe ato të tanishmet, por ja që thirrja publike e VV ngacmon dhe të detyron mos ta përmbash veten dhe të shprehesh doemos”, kishte përfunduar reagimin.