Theodore McCarrik

Don Lush Gjergji: Portreti i priftit që dyshohet për ngacmim seksual nuk hiqet pa urdhër të Papës

Edhe pse kardinali me famë botërore, Theodore McCarrik ka kohë që ka dhënë dorëheqje nga Kolegji i Kardinalëve nën akuzat për ngacmim seksual ndaj fëmijëve, portreti i tij po vazhdon të qëndrojë nën ambientet e katedrales “Nënë Tereza” në Prishtinë. Don Lush Gjergji duke folur për emisionin Frontal në T7 është deklaruar se do të veprojnë vetëm ashtu siç thotë Papa.

Spekulime gazetareske po i quan Don Lush Gjergji lajmet për Theodore McCarrik që tashmë po qëndron në izolim pas vendimit të Papës, deri sa të vendoset për sanksionet e tij pas dyshimet për ngacmime seksuale.

“Ne këto gjëra nuk i kemi ditë, këto gjëra kanë qenë në fazën e spekulimeve, apo të shkrimeve gazetareske, apo të niveleve të ndryshme. Sigurisht që edhe ne të përmirësojmë një gabim që nuk e kemi bë me qëllim, sepse ai ka qenë atëherë pjesëmarrës në gur themelin, dhe vetëm për këtë arsye e kemi vendosur. Nuk është një çështje dogmatike. Ne jemi të gatshëm në ujdi me atë që e thotë selia e shenjtë, atë që e thotë Papa, nuk kemi pasur ndonjë lidhje apo bashkë. Ka qenë një njeri i angazhuar në zgjidhjen e pjesëve që janë në konflikte, prandaj ka ardhur në bekimin e gur themelit”, ka thënë Don Lush Gjergji për T7.

Rrjedhimisht fotografia e tij do të vazhdojë të qëndrojë në ambientet e katedrales në Prishtinë.

88-vjeçari, Theodore McCarrick, në kohën kur ishte arqipeshkv i Uashingtonit pati vënë gurë themelin e Katedrales në Prishtinë bashkë me ish-presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova dhe ipeshkvin e atëhershëm, Mark Sopin.

Në nderim të tij, vite më vonë, saktësisht në 20-vjetorin e ndarjes nga jeta të Shenjtores Nëna Terezë, ditën kur u bë shugurimi i Katedrales që mban emrin e saj, u zbulua edhe mozaiku, me portretin e ish-kryepeshkopit që krahas ka figura të kishës katolike por edhe politikës që sipas kishës, ndihmuan në ngritjen e katedrales.