DOKUMENTE| Vëllai i aktivistit të LVV-së që u përfshi në skandalin e Harvardit të këshilltarëve të Qeverisë Kurti bëhet drejtor i AKP-së

Bordi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, të mërkurën ka emëruar Arben Limanin drejtor të këtij institucioni.

Arben Limani është vëllai i Faton Limanit, i cili është ligjërues në Universitetin e Harvardit në SHBA, për të cilin Demokracia.com kishte raportuar se ishte i përfshirë në skandalin e kursit me paratë e shtetit që kishin ndjekur këshilltarët politikë të Kurtit, përfshirë shefin e stafit të tij, Luan Dalipin, në Harvard.

Arben Limani raportohet se ka punuar në AKP që nga viti 2009, ndërsa nga viti 2011 ka mbajtur pozitën e drejtorit të Sekretariatit Ekzekutiv të Bordit të Drejtorëve.

Megjithatë, ai sot u emërua drejtor i AKP-së.

Arben Limani është vëllai i Faton Limani, për të cilin Demokracia.com kishte raportuar në artikullin për kurset mijëra euro që kishin ndjekur me para të shtetit të favorizuarit e Qeverisë Kurti.

Çuditërisht në faturën që “Harvard Kennedy School” e kishte lëshuar për Qeverinë e Kosovës figuronte edhe emri i Faton Limanit, i cili në përshkrimin e shefit të stafit të kryeministrit Kurti, Luan Dalipi, përshkruhet si përkrahës dhe aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje në Boston të SHBA-së, që e ka të përfunduar aty Masterin.

Shumica prej atyre që e kishin ndjekur këtë kurs ishin të emëruar politik, përfshirë këtu edhe shefin e stafit të kryeministrit Kurti, Luan Dalipin, gjë që nuk u lejohet të emëruarve politikë, pasi që konsiderohen të përkohshëm në institucione.

Në mesin e zyrtarëve publikë që ndoqën këtë kurs duke paguar me para të qytetarëve ishin edhe këshilltarë të tjerë të kryeministrit Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi.

Sipas dokumenteve ekskluzive që kishte siguruar Demokracia.com, po ashtu këtë kurs 3-javorë e kishte ndjekur edhe Zef Dedajn, por ai pagoi edhe më shtrenjtë, gjithsej 6 mijë e 427 euro ose mbi 300 euro në ditë, raporton Demokracia.com.

Një faturë e Qeverisë Kurti, ku lart figuronte emri i Faton Limanit, të cilën e kishte siguruar Demokracia.com, Qeveria pagoi hiç më pak se 26 mijë e 600 dollarë për një program online në Universitetin e Harvardit për shtatë zyrtarë qeveritarë./Demokracia.com/