DOKUMENTE| S’ndalen punësimet partiake në Shtime, Qemajl Aliu i “rehaton” edhe dy militantë në administratë

Në fushatën zgjedhore për Kryetar të Komunës, Qemajl Aliu premtonte meritokraci dhe depolitizim të administratës komunale, ndërsa tani po dyshohet se shumicën e konkurseve edhe po i kurdisin. Punësimi i aktivistëve të partisë së tij dhe të partnerit të koalicionit, duke rehatuar njerëzit e tyre nëpër pozita të ndryshme në administratë, nuk ka të ndalur.

Sipas rezultateve të konkursit për punësim “Koordinator i Punëve Teknike”, i shpallur më 20.05.2022, Nr. 02/1-108 si dhe “Zyrtar i Lartë për Informim”, i shpallur më 26.05.2022, Nr. 02/1 – 46, tashmë në këto dy pozita janë punësuar një kryetar pike i LVV-së në Shtime dhe bashkëshortja e kryetarit të pikës tjetër të LVV-së në Shtime, raporton Demokracia.com.

Anita Kurti është pranuar Zyrtare e Lartë për Informim, e cila është bashkëshortja e kryetarit të pikës së Vetëvendosjes në fshatin Zborc, Valdet Kurti. Ndërsa, Armend Imeri, i përzgjedhur si Koordinator i Punëve Teknike, është kryetar i pikës së LVV-së në Reçak dhe ka qenë kandidat për asamble nga radhët e LVV-së në këtë komunë.

Demokracia.com ka mësuar se Armend Imeri ishte kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për asamblist në Kuvendin e Shtimes në zgjedhjet e fundit lokale 2021 dhe nuk kishte arritur t’i merrte votat për t’u bërë pjesë e Kuvendit Komunal.

Në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës tanimë janë dorëzuar edhe ankesa lidhur me konkursin e shpallur nga Komuna e Shtimes për punësim të 6 zyrtarëve publikë.

Demokracia.com ka dërguar pyetje me shkrim edhe tek Ardita Ndrecaj, UD e Shefit të Personelit në Komunën e Shtimes, për të kuptuar nëse ajo ka qenë në dijeni se personat e punësuar janë të afërt me LVV-në në Shtime, megjithatë ajo nuk ka kthyer përgjigje deri në publikimin e këtij teksti.

Në konkursin e shpallur shkruante “Aplikacionet e pakompletuara sipas kushteve të konkursit si dhe ato që arrijnë pas afatit nuk do të merren në shqyrtim”, ndërsa Demokracia.com ka mësuar se është parashtruar ankesë edhe në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës, pasi që kandidatja Anita Kurti ka dorëzuar dokumente shtesë, pas afatit të mbyllur të konkursit, më saktësisht në testin me shkrim më 23.06.2022 (e enjte) që është mbajtur në ora 10:00, në sallën e vogël të Komunës së Shtimes, në prezencë të komisionit të përbërë nga Kryetar i Komisionit, Ibrahim Demiri, anëtare – Hamide Hoxha dhe anëtar – Naim Hasani, ndërsa dokumentet e Anita Kurtit mësohet se i ka marrë Naim Hasani, me arsyetimin që ai s’ka qenë në punë kur i ka dorëzuar dokumentet ajo.

Demokracia.com ka provuar të kontaktojë me Hasanin lidhur me këtë çështje, por ai nuk u është përgjigjur thirrjeve telefonike.

Meqenëse Komuna e Shtimes nuk e ka publikuar vendimin për punësimin e Anita Kurtit, Demokracia.com ka arritur të sigurojë vendimin, i cili tashmë ka një muaj që është nënshkruar nga komisioni, mirëpo Kurti ende nuk e ka filluar punën.

Valdet Kurti, bashkëshorti i Anita Kurtit, është i afërt me kryetarin Qemajl Aliu dhe ai më 16 qershor 2022 është zgjidhur kryetar i pikës së Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në fshatin Zborc të Komunës së Shtimes.

Nga postimet e tij në rrjetin social Facebook, shihet se Valdet Kurti dhe kryetari Qemajl Aliu janë të afërt.

Demokracia.com ka kontaktuar me Kurtin për ta pyetur nëse ka ndikuar në punësimin e bashkëshortes së tij, meqenëse është i afërt me kryetarin Aliu, mirëpo ai e ka mohuar një gjë të tillë.

“Qysh po mendon me ndiku. Jo, nuk kam pas ndikim. Qysh me pas ndikim kur jam kryetar i pikës. Absolut jo. Ai ka qenë konkurs publik, jo politik. Nuk muj me pas ndikim në punësim kur persona të tjerë marrin vendim aty. Pa marr parasysh, kryetari e hap konkursin, mandej dikasteret tjerë merren me atë çështje. Nuk e di pse po aludoni në këtë pikë”, ka thënë Kurti në përgjigjen e tij.

Demokracia.com lidhur me këtë çështje ka kontaktuar edhe me Kryetarin e Komisionit, Ibrahim Demirin, i cili u kishte thënë disa kandidatëve që kryetari vendos për këtë punë, por ai i ka mohuar këto pretendime.

Demiri ka thënë se për punësimin e tyre ka vendosur komisioni dhe jo kryetari.

Ndërsa, i pyetur nëse si kryetar i komisionit ishte në dijeni se dy kandidatët e pranuar janë të afërt me Vetëvendosjen, Demiri ka thënë se nuk ka qenë në dijeni se Anita Kurti, e përzgjedhura si Zyrtare e Lartë për Informim, është bashkëshortja e një prej aktivistëve të LVV-së. Por, ai nuk e ka mohuar se ka qenë në dijeni se i punësuari tjetër, Armend Imeri, ka qenë kandidat për asamblist nga radhët e LVV-së.

Demiri ka thënë për Demokracia.com se nuk e di nëse tani ka pozitë në këtë parti dhe sipas tij komisioni nuk ka pas të drejtë të ia mohojë pjesëmarrjen në konkurs.

“Komisioni vendos, kryetari tash me procedura të reja nuk vendos. Unë nuk e di që [Anita Kurti] është bashkëshortja e tij. Kanë qenë tri kandidate, ajo i ka plotësuar kriteret edhe është punësuar. Po e di që [Armend Imeri] ka qenë kandidat për asamble. Është kry ajo procedurë kur janë bërë zgjedhjet, çfarë roli ka ai tani unë nuk e di. Në komision ne nuk i kemi shqyrtuar se kush ka qenë aktivist. Tash me i marrë, aktivistë dalin shumica. Ku me ditë ne që është aktivist. Na i respektojmë procedurat e konkursit, nuk mundemi me i pyet kush është aktivist e kush jo. Na e marrim rastin nga konkursi, pjesën përpara kush çka ka qenë, këtu nuk ka pas diçka që mos me pas të drejtë që të konkurrojë ose me ju nënshtru testit, qysh me largu na nuk guxojmë se atëherë bëjmë shkelje, komisioni bënë shkelje”, ka thënë Ibrahim Demiri.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në Shtime ka kërkuar anulimin e këtij konkursi.

Sipas PDK-së, Qemajl Aliu nuk po arrin të distancohet nga presioni i partisë së tij, duke e treguar pa aftësi për t’i qëndruar premtimeve se Komuna e Shtimes do të ketë administratë jopolitike.

“Është në shërbim të klaneve partiake të LVV-së në Shtime dhe se punësimet e konkursit publik janë për t’u hetuar nga organet e drejtësisë dhe u bëjmë thirrje të reagojnë menjëherë. Kjo deklaratë duhet t’i shërbejë Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës dhe institucioneve të tjera që të marrin vendim për anulimin e këtij konkursi në tërësi. Ajo që është për të ardhur keq, Qemajl Aliu, nuk po arrin të distancohet nga presioni i partisë së tij, duke treguar pa aftësi për t`i qëndruar premtimeve se Komuna e Shtimes do të ketë administratë jopolitike”, thuhet ndër të tjera nga PDK në Shtime.

Ndërsa, Kenan Gashi nga AVONET ka thënë për Demokracia.com se Administrata Publike po shihet si një vend për punësimin e militantëve partiakë.

Gashi ka thënë se kryetari Aliu nuk po e mban premtimin që kishte dhënë për depolitizim në Administratën Publike.

“Kryetari Qemajl Aliu ishte njeri prej kandidateve që kishte në program depolitizimin, qeverisjen efektive, transparente në bazë të të gjitha parimeve ligjore dhe në sundim të ligjit. Por, kjo nuk ndodhi, ai krijojë një qasje më ndryshe dhe nuk mbajti premtimet e tij që i dha gjatë fushatës elektorale. Kjo qasje e tij shpërfaq një mendësi tashmë të njohur në politikëbërjen aktuale, ku administrata publike shihet si vend për punësimin e militantëve partiakë, në shenjë mirënjohjen dhe falënderimin për kontributin e tyre partiak. Andaj, si e tillë tashmë është dëshmuar që nuk sjell ndonjë rezultat në të mirë të qytetarëve dhe detyrave dhe përgjegjësive ligjore, pos një lloj analfabetizmi funksional, duke u punësuar sa për një rrogë dhe jo për të ushtruar profesionin në mënyrën dhe formën e duhur. Njëherit, kemi të bëjmë edhe me diskriminim me rastin e punësimit, gjë që është në kundërshtim me dispozitat ligjore”, ka thënë tutje Gashi.