DOKUMENTE | Prindon Sadriu shkeli rregulloren e MPJ’së – a do të penalizohet nga Donika Gërvalla?

Bashkëshorti i presidentes Osmani, Prindon Sadriu, mbrëmë përmes një postimi në rrjete sociale ka përdorur gjuhë urryese dhe fyese ndaj mediave, duke i quajtur ato “Ndërmarrje të Përbashkëta Kriminale”, njëjtë siç Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë i cilëson krerët e UÇK-së në aktakuzën e ngritur ndaj tyre për krime të pretenduara të luftës.

Sadriu ka reaguar duke e shpërndarë reagimin e këshilltarit për media të presidentes Osmani, duke i sulmuar ashpër mediat. Ai, po ashtu, ka pretenduar se me këto publikime po mundohet të “njolloset puna e Presidentes”, transmeton Demokracia.com.

“Kur përfaqësuesit e Ndërmarrjeve të Përbashkëta kriminale, ‘gazetarët’ e parapolitikës, e persona të përfshirë në reket e në keqpërdorime milionëshe, moralizojnë. Janë këta moralizues e shpifës të cilët paguanin një natë akomodim me Nju Jork $1.200 në Hotel Interconntinental Manhattan, e mëngjesin e paguanin $50 për person (drekat e darkat iu shkonin deri ne mijera dollarë). Bileta avioni First Class e rrallë herë Business Class. Për Economy as që flitej. Ju nuk keni lënë gjë publike pa keqpërdorë”, shkruan Sadriu.

“Dhjetëra miliona euro keqpërdorime të qytetarëve përmes të cilave keni blerë televizione, portale e paguani ‘qepues’ për t’u munduar ta njollosni punën e ndershme të Presidentes. Për juve shteti është vetëm mjet për mbrojtjen e interesave biznesore e kriminale. Kaq!”, përfundon ai.

Sadriu i ka rënë pishman në orët e vona për këtë postim dhe e ka fshirë atë nga Facebook-u, shkruan Demokracia.com.

Ndërkohë, Prindon Sadriu është shërbyes i shtetit dhe mban pozita të rëndësishme. Sadriu e mban pozitën e të ngarkuarit me punë të Ambasadorit të Kosovës në Maqedoninë e Veriut dhe është pjesëtar rezervë në Forcën e Sigurisë së Kosovës, shkruan Demokracia.com.

Si pjesë e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Sadriu duhet t’i përmbahet rregullores që ky institucion e përcakton rreth deklarimeve publike në rrjetet sociale.

Një rast i ngjashëm ishte ditë më parë edhe për policin Amir Hoxha, i cili u suspendua nga Policia e Kosovës pikërisht për shkak të një postimi në rrjete sociale, ku kritikonte shpenzimet e deputetëve për udhëtime, ndërkaq kërkonte që policëve t’u paguhen shujtat e premtuara për vite me radhë.

Suspendimi i tij u prit keq nga publiku, duke e kritikuar institucionin e rendit për dorë të hekurt dhe mbyllje të gojës së kritikëve.

Demokracia.com e ka siguruar Qarkoren e Ministrisë së Punëve të Jashtme për përdorimin e mediumeve elektronike sociale, e cila i është dërguar udhëheqësve të Misioneve Diplomatike të Shërbimit të Jashtëm.

Në këtë qarkore të vitit 2015, e cila ishte përsëritur edhe në vitin 2020, thuhet se qëllimi i saj është që të udhëzojë të gjithë punonjësit e Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës për mënyrën e përdorimit të rrjeteve elektronike sociale, përfshirë të gjithë forumet elektronike të internetit, siç janë Facebook dhe Twitter dhe forume të ngjashme, ku mund të postohen deklarata ose prononcime private.

Kjo qarkore i është drejtuar të gjithë pjesëtarëve të Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës dhe të gjithë personave tjera që kryejnë funksione dhe detyra për Shërbimin e Jashtëm të Kosovës, siç janë personat e kontraktuar me kontratë në vepër në MPJ ose nga misionet diplomatike të Kosovës, personat që kryejnë detyra dhe funksione për Shërbimin e Jashtëm në bazë të kontratës me një donator kontratë, si dhe këshilltarët në kabinetin e Ministrit të Punëve të Jashtme.

Në qarkore thuhet se komunikimi privat i punonjësve të Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës përmes platformave elektronike dhe mediumeve sociale, pa marrë parasysh a bëhet në formë të shkruar, me komunikim zëri, fotografive ose video incizimeve, mund të ketë implikime dhe pasoja negative për Shërbimin e Jashtëm dhe të dëmtojë interesat dhe reputacionin e Republikës së Kosovës. Çdo deklaratë ose postim në mediumet sociale, të cilat bëhen nga pjesëtarë të Shërbimit të Jashtëm ose persona tjerë që kryejnë ndonjë detyre apo funksion në Ministrinë e Jashtme, mund të interpretohen si qëndrim zyrtar i MPJ-së.

Në anën tjetër, Albert Prenkaj, si Drejtor i Përgjithshëm i MPJ-së ua kishte tërhequr vërejtjen ambasadorëve dhe udhëheqësve të misioneve që të mos bëjnë postime në rrjetet sociale.

“Mospërfillja e këtij udhëzimi do të jetë subjekt i shqyrtimit disiplinor të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës”, thuhet në letrën e Prenkaj drejtuar stafit të Shërbimit Diplomatik, raporton Demokracia.com.

Edhe rregullorja e vitit 2015 me numër 04 për Kodin e Mirësjelljes në shërbimin civil të Kosovës, në nenin 1.6 flet për paanësi dhe pavarësi të nëpunësve civilë.

“Paanësia dhe pavarësia profesionale – Nëpunësit civil nuk u lejohet njëanshmëria, që do të thotë të ketë një predispozitë në favor të një rezultati të caktuar gjatë vlerësimit të një situate, duke shkaktuar si rrjedhojë një dëm të pajustifikueshëm për interesin e përgjithshëm ose për të drejtën e palëve të tjera të interesuara”, thuhet në këtë nen. /Demokracia.com/