DOKUMENTE| MPJD-së i kërkohet anulimi i konkurseve, sindikata i quan ato të paligjshme dhe komisionet jo kredibile

Shoqata Sindikale e Shërbimit të Jashtëm po insiston se dy konkurset e shpallura nga Donika Gërvalla janë të jashtëligjshme.

Për këtë arsye, ajo vazhdimisht po e kërkon anulimin e tyre, shkruan Demokracia.com.

Dy ditë më parë, kjo sindikatë i ka dërguar sërish letër ministres Gërvalla.

Shoqata Sindikale e Shërbimit të Jashtëm ka vlerësuar se konkurset janë shpallur pa bazë ligjore dhe komisionet e formuara janë jo-kredibile. Gjithashtu, kjo sindikatë ka reaguar edhe për mospërfshirjen e anëtarëve të saj në këto komisione.

“Shoqata Sindikale e Shërbimit të Jashtëm në vazhdimësi ka reaguar për parregullsitë të cilat kanë ndodhur në dikasterin e shërbimit të jashtëm. Së fundmi është reaguar lidhur me hapjen e konkurseve si: atij të jashtëm për 32 pozita diplomatike dhe atij të brendshëm me të drejtë për aplikim në këtë procedurë kanë vetëm nëpunësit civilë ekzistues të së njëjtës kategori të punësuar, në të njëjtin apo në një tjetër institucion të shërbimit civil. Konkurset (i brendshëm dhe i jashtëm) konsiderohen të jashtëligjshme për arsye se: është pa kritere, pa planifikim dhe me rrezik të duplifikimit të pozitave, respektivisht akteve ligjore të krijimit të marrëdhënies së punës – dy zyrtarë në të njëjtën pozitë”, thuhet në letrën e sindikatës drejtuar ministres Gërvalla, raporton Demokracia.com.

Sipas sindikatës, komisioni i formuar për konkursin e parë ka në përbërje anëtarë jo-kredibil.

“Sipas informacioneve të cilat i posedon shoqata, komisioni udhëhiqet nga z. Albinot Bimbashi, znj. Lirie Berisha, z. Vigan Berisha. Nisur nga kjo përbërje, z. Bimbashi është avancuar në mënyrë të dyshimtë, duke mos përfillur bazën ligjore për avancimin e tyre në grada diplomatike – që ka gradën diplomatike pa kaluar përmes Komisionit për Grada dhe Disiplinë, pa rekomandim, pa asnjë dokument përcjellës, i cili mund të arsyetojë mënyrën e marrjes së gradës në bazë të meritës, të paraparë me ligj”, thuhet në letrën e sindikatës.

Për anëtarin tjetër, sindikata ka thënë se Lirie Berisha është sistemuar pa u respektuar baza ligjore për fuzionimin e dy ministrive për sistematizim të vendeve të punës dhe nuk është respektuar rregullorja për sistematizim.

“Një sinjalizim të ngjashëm, sindikata kishte dhënë edhe për komision për sistemimin e vendeve të punës për zyrtarët e MPJD-së, si jo-kredibil, ku në cilësinë e kryesuesit ishte z. Lulzim Hiseni përfitues i gradave dhe pozitës së drejtuesit të departamentit që ka udhëhequr, pa përfillur procedurat e nevojshme ligjore dhe në kundërshtim me ligjin”, thuhet më tej, përcjell Demokracia.com.

Sipas sindikatës, anëtari tjetër po i këtij komisioni, Besim Berisha, është i sistemuar në pozitën e udhëheqësit të Divizionit për Planifikim të Politikave.

“Andaj, duke marrë për bazë përgjegjësitë e këtij Divizionit, stafi përbëhet me diplomatë me përvojë me grada të larta, ndërsa udhëhiqet nga zyrtari Besim Berisha pa gradë diplomatike dhe pa përvojë në segmentin e diplomacisë. Shtrohet pyetja cili është rezultati i këtij komisioni në rastin konkret të sistemimit të z. Berisha, i cili udhëheq një divizion kaq të rëndësishëm dhe të mbikëqyrur diplomatë me përvojë. Dorëheqja e parë veç ka ndodhur në këtë Divizion, jep dorëheqje diplomati me përvojë më tepër se 12 vite, kurse z. Berisha është emëruar të udhëheq këtë divizion ndërsa ende është aktiv me detyra rreth Zyrës së Sekretarit. Mirëpo angazhimi i tij në pozitë të pa definuar rreth asistimit tek Zyra e Sekretarit të Përgjithshëm tregon nivelin dhe përkushtimin që ka marrë këtë detyrë”, thuhet në letër, përcjell Demokracia.com.

Ata e kanë përmendur se Berisha gjendet në një trajnim në Holandë, trajnim në të cilin duhej të dërgohej një diplomat me përvojë 1 deri në 7 vjet.

“Përveç, kësaj z.Berisha është duke realizuar vizita jashtë vendit të cilat vështirë mund të justifikohen nga pozicioni që mban me detyrat me të cilat është duke u angazhuar në cilësinë e asistimit në Zyrën e Sekretarit. Vlen të përmendet se z.Berisha aktualisht është në trajnim jashtë vendit konkretisht në Clingendal, trajnim ky në të cilin marrin pjesë diplomatë të shumë vendeve me përvojë dhe grada diplomatike”, thuhet në letër.

Po ashtu, sindikata ka reaguar edhe për sistemimet e zyrtarëve pa i paraprirë baza ligjore, sidomos në pozitat kyçe, me theks të veçantë mungesë të përvojës në dikasterin e punëve të jashtme.

“Duke mos nënvlerësuar përgatitjet profesionale të askujt, përvoja e tyre ka qenë e orientuar kryesisht në projekte të përkrahjes së mërgatës, disa prej tyre janë realizuar në koordinim me OJQ-të, ndër to është edhe ajo GERMIN, përgjatë kohës sa ka funksionuar ish Ministria e Diasporës si institucion në vete. Ndikimi i OJQ-ve duket se është bartur edhe tani nga bashkëpunimi i së kaluarës përmes zyrtarëve të ish-MD’së tani të sistemuar në pozita kyçe të MPJ-së”, thuhet në letër.

Sindikata është shprehur e shqetësuar se në MPJD po u jepen pozita ish-stafit të Ministrisë së Diasporës.

“Duke ju dhënë pozicione stafit të ish MD-së, ndërsa kthehen diplomatët në mënyrë të padinjitetshme në kohë të shkurtër brenda dhjetë ditëve, kurse të favorizuarve ju zgjaten mandatet, rastet identike që kanë filluar mandatin në të njëjtën kohë. A nuk është përdorim i kritereve të dyfishta, si mund të vihet rendi dhe ligjshmëria nga komisionet e tilla të cilët janë të ndërtuara dhe operojnë në kundërshtim me rregullat ligjore në fuqi?”, thuhet tutje në letër, përcjell Demokracia.com.