DOKUMENTE| Martin Berishaj fshehu në AKK kompaninë në Mal të Zi ku i barti 600 mijë euro

Ambasadori i Kosovës në Zagreb, Martin Berishaj, është përfshirë në një aferë të madhe financiare, e cila po e dridh gjithë Slloveninë në prag të zgjedhje.

Mediat sllovene kanë raportuar se Martin Berishaj i ka bartur para rreth 600 mijë euro nga Mali i Zi për tek politikani slloven, Robert Golob.

Një televizion slloven, Planet TV, ka raportuar se mbi gjysmë milioni euro në CASH janë bartur prej Malit të Zi për në Slloveni, kurse rolin e “mushkës financiare” ose të transportuesit të parave e ka kryer ambasadori i Kosovës, Martin Berishaj.

Mirëpo, në deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion, Berishaj nuk e ka përmend fare kompaninë “MB Consulting” që e ka në Mal të Zi  nga e cila ka tërhequr rreth 600 mijë euro.

As kompania e as 600 mijë eurot nuk janë përfshirë në formularin e deklarimit të pasurisë në AKK. “MB Consulting” figuron e regjistruar në Mal të Zi që nga viti 2016.

Demokracia.com ka dërguar pyetje në AKK që nga mëngjesi, mirëpo vetëm pak para orës 16 kjo agjenci ka kthyer përgjigje.

Në përgjigjen e AKK-së thuhet se publikimi i pasurisë së Berishajt nuk është bërë për shkak të një lëshimi teknik. “Për shkak të një lëshimi të natyrës teknike i njëjti nuk ishte i qasshëm për publikun”, kanë thënë nga AKK për Demokracia.com, duke i bashkëngjitur edhe të dhënat e deklarimit të pasurisë të Berishajt.

Në formularin e deklarimit të pasurisë të Berishajt, të cilin AKK-ja e ka dërguar bashkë me përgjigjet në adresë të Demokracia.com, figuron se Berishaj ka banesa, tokë, shtëpi e vetura, por të zbrazët e ka lënë rubrikën e “Posedimit të aksioneve në shoqëri komerciale” dhe “Posedimin e letrave me vlerë”, duke mos e deklaruar firmën e tij.