DOKUMENTE| Armend Muja nuk ia ktheu RTK-së mbi 1000 euro, “borxhin” nuk e shleu as me këste

Para se Armend Muja të bëhej zyrtarisht pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje, ai ishte analist. Nëpër studio televizive, Muja analizonte zhvillimet politike në vend. Ndërsa, gjatë fushatave zgjedhore, ai zgjidhte një televizion që të ishte i përhershëm me analizat e tij.

Duke e parë se me paraqitjet televizive mund të zinte një vend në listë zgjedhore, Muja para se t’i bashkohej zyrtarisht Lëvizjes Vetëvendosje kishte rrëshqitur thellë në njëanshmëri dhe “përkëdhelje” të Albin Kurtit dhe partisë së tij.

Analizat paguhen, krejtësisht normale. Prandaj, Armend Muja në maj të vitit 2017 e kishte lidhur një kontratë për shërbime me RTK-në në cilësinë e analistit.

Muja ishte angazhuar gjatë fushatës zgjedhore dhe për këtë angazhim paguhej 60 euro (bruto) për një ditë. Mirëpo, gjatë transferimit të mëditjeve për muajin shtator dhe tetor në llogari të Mujës, RTK-ja kishte gabuar dhe ia kishte transferuar atij mbi 1000 euro më shumë.

Demokracia.com ka siguruar komunikimin ndërmjet administratës së RTK-së dhe Armend Mujës, aktualisht deputet i LVV-së. Më 21 nëntor të vitit 2017, atij i ishte kërkuar kthimi i 1094.40 eurove në buxhetin e televizionit publik.

“Në bazë të kontratës dhe në bazë të angazhimit tuaj për muajin shtator dhe tetor pagesa totale duhej të transferohej në llogarinë tuaj është 102.60 euro, ndërsa për këta dy muaj janë transferuar mjete në lartësi prej 1197 euro. Na bazë të kësaj që u tha më lartë, ju lutem që mjetet të cilat janë transferuar gabimisht në llogarinë tuaj bankare në lartësi prej 1094.40 euro të kthehen në llogarinë e RTK-së”, thuhet në kërkesën e RTK-së për Mujën.

Gati një muaj më pas, më 19 dhjetor, Armend Muja i kishte kthyer përgjigje RTK-së.

“Unë kam analizuar rrjedhën. Do të jem të premten në RTK për të sqaruar detajisht situatën. Mund të vështrojmë rrjedhën e pagesës dhe obligimeve bashkërisht dhe dakordohemi. Natyrisht, jam i interesuar të kthej çdo mjet që nuk më përket”, i ishte përgjigjur ai RTK-së.

Më 22 dhjetor, Muja dhe RTK-ja kishin arritur një marrëveshje që shuma prej 1060.20 euro të kthehej me pesë këste dhe kësti i parë të paguhej që nga data 30 janar i vitit 2018.

Mirëpo, Armend Muja nuk e kishte respektuar marrëveshjen dhe nuk e kishte paguar asnjë këst.

“Pas shumë insistimeve dhe thirrjeve telefonike, ju lusim që edhe njëherë për mirëkuptimin tuaj dhe të na përgjigjeni në bazë të marrëveshjes që kemi arritur me datën 22.12.2017”, thuhet në e-mailin tjetër që RTK-ja i kishte dërguar sërish Mujës, të cilin e ka siguruar Demokracia.com.

Në këtë e-mail të datës 19 mars 2018, RTK-ja i kishte thënë Mujës së nëse nuk kthehen mjetet, ata janë të obliguar që këtë ta realizojnë përmes mënyrave ligjore.

Sipas e-maileve të RTK-së, Armend Muja këto mjete nuk i kishte kthyer as pas gati një viti. Në një e-mail tjetër që ka siguruar Demokracia.com, administrata e televizionit publik ankohet se Muja nuk i kishte kthyer ende këto mjete.

“Në këtë rast mjetet nuk janë kthyer, por janë transferuar gabimisht në llogarinë e Armend Mujës. Edhe pse me të njëjtin kemi komunikuar dhe kemi arritur marrëveshje që mjetet të kthehen në llogarinë e RTK-së, deri më tani nuk janë transferuar”, thotë administrata e RTK-së në e-mailin e datës 24 shtator 2018.

Demokracia.com ka kontaktuar me deputetin Armend Muja për t’i marrë sqarimet e tij se pse nuk i kishte kthyer mjetet në RTK, përkundër arritjes së marrëveshjes me administratën e televizionit publik.

Deputeti Armend Muja në përgjigjen për Demokracia.com nuk konfirmon se i ka kthyer mbi 1000 euro, por flet për ish-menaxhmentin e RTK-së.

“Ndërmjet muajve maj-korrik 2017, gjatë ciklit të zgjedhjeve kam qenë i angazhuar si analist në RTK. Unë kam qenë panelist në cikle zgjedhore lokale dhe qendrore në vitin 2014. Sa mbaj mend në ciklin  e fundit 2017 ishte vendosur që panelistët të kompenzoheshin me mëditje, përfshirë edhe unë. Caktimi dhe përllogaritja e saj është bërë sipas RTK-së dhe nuk mbaj mend shumën që do të duhej apo jam kompensuar. Kjo, sepse në RTK kam qenë rregullisht dhe nuk jam kompensuar asnjëherë. Befasisht, në dhjetor 2017, 6 muaj pas përfundimit të zgjedhjeve, me ka kontaktuar RTK-Financa me pretendimin se ‘gjatë transferit është bërë një gabim, në vend se ti dërgohej dikujt tjetër të janë dërguar ca të holla më shumë’. Me Zyrën e Financave të RTK-së jam dakorduar që urdhërpagesa e gabuar të kthehej prapa nëse pretendonin se ishte bëre ndonjë gabim, ashtu siç parashihet me Ligjin për Sistemin e Pagesave (Neni 34). Pra, nëse institucioni dërgues ka bërë ndonjë gabim, gjë që mund të ndodhë, të njëjtin të rregulloj përmes transferit bankar. Gabimi ishte i tyre ata duhej te rregullonin këtë”, ka thënë Muja për Demokracia.com.

Mirëpo, sipas tij, kërkesa që ai t’i kthej paratë në dorë i është dukur e çuditshme, informale dhe e jashtëligjshme.

“Jo vetëm se binte ndesh me Rregullat Bankare, por edhe nga fakti se të hyrat ende figuronin si transfer bankar nga RTK. Për mua çështja ka qenë e zgjidhur, sepse bëhej fjalë për shuma të vogla (nuk mbaj mend, por mund të ketë qenë diç ndërmjet 128-343 euro, këtë nuk mund ta them me siguri)”, ka shtuar ai.

Ndërkohe, sipas e-mailit të siguruar nga Demokracia.com, më 22 dhjetor të vitit 2017, Muja dhe RTK-ja kishin arritur marrëveshje që shuma prej 1060.20 euro të kthehej me pesë këste dhe kësti i parë të paguhej që nga 30 janari i vitit 2018.

“Ju drejtohemi lidhur me pagesën tuaj sikur në vijim: Shuma totale e cila duhet të kthehet në llogarinë e RTK-së është në vlerë prej 1060.20 euro, kërkesa juaj që të njëjtën shumë ta ktheni me pesë këste është e pranueshme, andaj ashtu sikur që biseduam, ju lutemi që nga data 30 janar 2018 të filloni t’i transferoni të njëjta mjete në këste. Kësti i parë në vlerë prej 260.20 euro dhe katër këstet tjera nga 200 euro”, shkruan në këtë e-mail, ku shihet se Muja kishte rënë dakord për kthimin e mjeteve.

Në përgjigje për Demokracia.com, Muja tutje thotë se çështja e kësaj shume nuk ishte sjellë në vëmendjen e tij që nga viti 2017, duke pretenduar se ishte minore dhe nuk i takon atij.

“Sidoqoftë, në qershor të vitit 2021 ish-Bordi i RTK-se dhe ish-drejtori menaxhues kanë tentuar që këtë gabim të tyre amatoresk ta përdorin gjatë raportimeve në Kuvend, pra në përpjekje për të më ndrydhur. Për ta përmbyllur, gabimi në transfer, mos-lajmërimi i transferit, kërkesa për kthim të parave kesh, dëshmon për qasjen jo-profesionale të Zyrës së Financave dhe ish-menaxhmentit të RTK-së”, ka thënë Muja.

Në vazhdim të përgjigjes së tij, ai pretendon se kjo shumë është tentuar të keqpërdorët për ta portretizuar atë si borxhli ndaj RTK-së.

“Pastaj, tentimi për të keqpërdorur një gabim tyre në transaksion për të me portretizuar sikur unë i kam borxh diç RTK-së është shpifje e llojit të rëndë dhe e njëjta do të duhej të dënohej. Unë kam konsideratën më të lartë për RTK-në si institucion, kanë pasë sjellje korrekte me mua dhe ngjashëm edhe unë. Jam thellësisht falënderues ndaj tyre për hapësirën. Megjithatë, raportet e mia personale nuk kam toleruar që të interesojnë gjatë punës time si deputet i Kuvendit – institucioni ka qenë dhe është në një situatë të rëndë financiare. Përpjekja e kote për të me ndrydhur me lloj-lloj insinuatash nuk funksionon”, ka thënë në fund Muja. /Demokracia.com/