DOKUMENT| Raporti i ish-ministres Haradinaj tregon se Glauk Konjufca kishte qenë në dijeni për tërheqjen e njohjeve, por nuk kishte bërë asgjë

Ministri i Punëve të Jashtme, Integrimit Rajonal dhe Diasporës i Togos, Robert Dussey, konfirmoi në në Beograd se ky shtet e ka tërhequr njohjen për Kosovën.

“Ne në Togo njohim vetëm një Serbi, një Serbi të bashkuar. Jam i lumtur që ju dëgjoj duke përmendur tërheqjen e njohjes së Kosovës dhe ky është vendim definitiv”, tha ai gjatë takimit në Beograd më 16 janar me ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq.

Që nga viti 2019, Serbia pretendon se Togo ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Një gjë të tillë e tha mbrëmë edhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla. Duke hequr përgjegjësin nga vetja, Gërvalla tha se Togo ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës në vitin 20219, shkruan Demokracia.com.

“Shumë shkurt, në fund të një dite të ngjeshur me plot takime pozitive për Kosovën dhe rrugën e saj euroatlantike: Të gjithë të ekzaltuarve rreth “ç’njohjes” së Togos dhe propagandës së Daçiqit dua t’iu rikujtoj që ajo ka ndodhur në vitin 2019, pra shumë kohë para se vinte në detyrë kjo qeveri”, ka shkruar Gërvalla.

Megjithatë, në raportin që ka siguruara Demokracia.com, të cilin ish-ministrja Meliza Haradinaj-Stublla, me 10 gusht të viti 2020 ia kishte dërguar në atë kohë kryeministrit Avdullah Hoti, përmenden mos veprimet e Qeverisë Kurti I për paralajmërimet për tërheqje të njohjeve, në të cilën ministër i jashtëm ishte, Glauk Konjufca.

Në raportin e Haradinajt dërguar Qeverisë, përmendej fakti se ministri, në atë kohë, Glauk Konjufca ishte informuar nga stafi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, se ai duhet të angazhohet me Sierra Leone dhe vendet e tjera që janë nën presion për tërheqjen e njohjes nga Serbia. Megjithatë, sipas këtij raporti, Konjufca nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim për të parandaluar këtë situatë.

“Ministri Konjufca është informuar nga stafi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, se ai duhet të angazhohet me Sierra Leone dhe vendet e tjera që janë nën presion për tërheqjen e njohjes nga Serbia. Një informacion i tillë nuk është marrë seriozisht dhe nuk është ndërmarrë asnjë veprim për të parandaluar këtë situatë. Kur Sierra Leone njoftoi tërheqjen e njohjes së Kosovës, asnjë veprim diplomatik nuk është ndërmarrë për ta zhbërë këtë. Ish
Ministri Konjufca nuk ka telefonuar homologun e tij të Sierra Leones dhe as nuk ka dërguar ndonjë letër diplomatike. Ambasada e Kosovës në Senegal që është marrë me këtë çështje, nuk është kontaktuar asnjëherë nga Ministri Konjufca ose kabineti i tij për këtë, as nuk janë përgjigjur në kërkesat dhe emailat të Ambasadës në Senegal që kanë kërkuar udhëzime dhe dokumente të tjera”, thuhet në raportin e MPJD-së të viti 2019.

Po ashtu, në këtë raport përmendet edhe fakti se sa shumë e kishte dëmtuar politikën e jashtme vendimi i Qeverisë Kurti I për heqjen e taksës 100 për qind të vendosura ndaj Serbisë dhe Bosnjë e 6 Hercegovinës.

“Qeveria e Albin Kurtit dhe ish-ministri Konjufca kanë dëmtuar interesat kombëtare të Kosovës, kur ata hoqën taksën e tregtisë të vendosura ndaj Serbisë dhe Bosnjë e 6 Hercegovinës. Me Serbinë, ata hoqën dorë nga argumenti i Kosovës se Serbia është shteti destruktiv dhe i duhet të përfundojë agresionin diplomatik kundër Kosovës. Qeveria Kurti hoqi taksën ndaj Serbisë pa marrë asgjë në këmbim, kështu që ata ndihmuan që argumentet e Serbisë të fitojnë se Kosova ka vendosur tarifën jo si një kundër-masë ndaj agresionit diplomatik serb, por sepse është një shtet jokonstruktiv në rajon. Me këtë veprim qeveria Kurti e ndihmoi narracionin serb kundër Republikës së Kosovës. Për Bosnjën, asgjë nuk u fitua në këmbim të heqjes së taksës, as njohjes së pasaportave dhe as heqjes së barrierave tregtare nga Bosnja në Kosovë. Këto veprime e kanë vendosur në defanzivë të madhe pozicionin e Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare e cila po prodhon pasoja në politikën e jashtme”, thuhet në raportin e MPJD-së të viti 2019.

Në raport përmendet edhe skandali me Xhamajkën. Sipas raportit të Haradinajt, ish-ministri Konjufca dhe në përgjithësi qeveria Kurti, në mënyrën e reagimit në raport me këtë çështje ka shpërfaqur pa aftësinë, jo profesionalizmin dhe jo kompetencën, sidomos në politikën e jashtme.

“Njohja” nga Xhamajka ka qenë njëri nga skandalet e cila ka identifikuar gjendjen në të cilën është gjetur politika dhe shërbimi i jashtëm, përgjatë qeverisjes së kaluar. Veprimet e ish Ministrit Konjufca në raport me këtë çështje nuk kanë qenë asnjëherë të qarta dhe asnjëherë i njëjti nuk e ka sqaruar krejtësisht mënyrën se si ka ardhur deri tek kjo “njohje” apo kjo situatë e krijuar në këtë rast. Ish Ministri dhe në përgjithësi qeveria Kurti, në mënyrën e reagimit në raport me këtë çështje ka shpërfaqur pa aftësinë, jo profesionalizmin dhe jo kompetencën, sidomos në politikën e jashtme. Për më tepër qasja e tillë ka dëmtuar edhe raportet e Republikës së Kosovës në politikën ndërkombëtare në përgjithësi”, thuhet në raport.

Ndryshe, Serbia edhe në të kaluarën ka pretenduar se shtete të ndryshme kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës. Megjithatë, sipas MPJD-së, Kosovën që nga shpallja e pavarësisë më 2008, e kanë njohur 117 shtete.