Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti siç duket nuk ia ka idenë për proceset që ka kaluar vendi para ardhjes së tij në pushtet, dhe anëtarësimin në organizata të rëndësishme.
Kështu, në mbledhjen e së shtunës, Kurti propozoi të shqyrtohet nisma për anëtarësimin e Kosovës në Byronë Ndërkombëtare të Ekspozitave, apo Konventës së Parisit, raporton Demokracia.com.
Kryeministri i vendit nuk është i informuar, por për informim sa më të drejtë të qytetarëve, Kosova është e anëtarësuar në Byron Ndërkombëtare të Ekspozitave që nga dhjetori i vitit 2015.
Dokumentet e anëtarësimit në këtë Byro, ishin nënshkruar nga ish-kryeministri e ish-presidenti, Hashim Thaçi.


Se Kosova është e anëtarësuar në Byron Ndërkombëtare të Ekspozitave, e dëshmojnë edhe informacionet në faqen zyrtare të kësaj organizate, raporton Demokracia.com.

Për herë të parë, Kosova pas anëtarësimit në Byron Ndërkombëtare të Ekspozitave, mori pjesë ne Ekspozitën Ndërkombëtare të Hortikulturës gjatë vitit 2016, “Expo 2016 Antalia”.
Memli Krasniqi, atë kohë Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, kishte hapur pavijonin e Kosovës në ekspozitën ku pjesëmarrëse ishin edhe 50 shtete të tjera.
Sot, Kurti këtë huqje të madhe është përpjekur që ta paraqesë si punë të madhe të Qeverisë së tij, duke thënë se “po ecin përpara me nisma që kanë për qëllim promovimin e Kosovës”, raporton Demokracia.com.
“Një të tillë do ta shqyrtojmë tani në mbledhjen e qeverisë, atë për anëtarësimin e Kosovës në Byronë Ndërkombëtare të Ekspozitave, apo aderimin në Konventen e Parisit që ka për qëllim përfundimtar faktorizimin e Kosovës në skenën ndërkombëtare përmes prezantimit të burimeve njerëzore, kulturore dhe potencialeve ekonomike si dhe avantazheve për investime në vendin tonë”, tha ai në mbledhjen e qeverisë që u mbajt sot.
Propozimi qesharak i Kurtit, i cili fillimisht u bë nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, është votuar me shumicë votash nga ministrat që siç duket nuk janë të informuar për organizatat ku bënë pjesë Kosova./Demokracia.com/







