Dokument

Komuna e Përparim Ramës ia pagoi afër 1.5 milionë euro kompanisë “Sallahu”, përkundër që gjykata ia ndaloi dy herë punimet në Rrugën A

Para pak ditëve, Gjykata Komerciale për të dytën herë e ka ‘goditur’ Komunën  e Prishtinës për ndërtimin e Rrugës A, duke ia pezulluar punimet. Por, komuna e drejtuar nga Përparim Rama deri më tani ka vazhduar të punojë aty.

Në konton e kompanisë “Sallahu” deri më tani janë paguar fiks 1,476,285 euro në emër të punëve të kryera për ndërtimin e Rrugës A.

Edhe përkundër faktit se Gjykata Komerciale ka nxjerr dy herë vendim në dy muajt e fundit për pezullim të punimeve, demokracia ka gjetur se parat po i paguhen çdo muaj kësaj kompanie.

Në raportin e Drejtorisë së Financave të KP-së që e ka parë Demokracia.com, në nëntor janë paguar 136,040.27 euro për kontraktorin e Komunës së Prishtinës.

Gjithsej 6 situacione i janë paguar “Sallahu”-t deri më tani. Në shtator: 284,972.10 euro, në gusht 249,109.59 euro, në korrik 170,955.00 euro dhe në qershor 499,039.00 euro. Totali i pagesës, përfshirë edhe muajt tetor dhe nëntor, është 1,476,285 euro.

Ballkani.info më 4 nëntor ka raportuar ekskluzivisht për vendimin e Gjykatës Komerciale për pezullimin e ndërtimit të Rrugës A, pasi ka dyshime që kompania “Sallahu” ka bërë dallavere.

Dhomat e Shkallës së Parë të Gjykatës Komerciale, e kishin aprovuar si të bazuar kërkesën e paditësit “Pro & CO Group” sh.p.k., në rastin e “Rrugës A”, duke e shtyrë ekzekutimin e vendimit, të nxjerrë nga organi shqyrtues i Prokurimit, deri në marrjen e vendimit përfundimtar për kërkesëpadinë.

Në vendimit e Komerciales, të siguruar ekskluzivisht nga Ballkani.info, thuhet se Gjykata ka nxjerrë aktvendim, duke e aprovuar si të bazuar kërkesën dhe duke e shtyrë ekzekutimin e vendimit të datës 19 prill 2023.

Gjykata ka vlerësuar se shtyrja e përkohshme e ekzekutimit të vendimit të kundërshtuar dhe pezullimi i aktivitetit të prokurimit “Ndërtimi i Rrugës A – Pjesa e parë”, iniciuar nga Komuna e Prishtinës, deri në shqyrtimin e pretendimeve të ngritura për shkeljet procedurale është më se i duhur, që të ruhet interesi publik, pasi që bëhet fjalë për projekt mbi 8 milionë euro, para të taksapaguesve kosovarë.