Rruga Xhim Xhema

DOKUMENT EKSKLUZIV: Komercialja rivendosi pezullimin e ndërtimit të Rrugës A pasi ka dyshime që kompania “Sallahu” ka bërë dallavere

Dhomat e Shkallës së Parë të Gjykatës Komerciale, e kanë aprovuar si të bazuar kërkesën e paditësit “Pro & CO Group” sh.p.k., në rastin e “Rrugës A”, duke e shtyrë ekzekutimin e vendimit, të nxjerrë nga organi shqyrtues i Prokurimit, deri në marrjen e vendimit përfundimtar për kërkesëpadinë.

Në vendimit e Komerciales, të siguruar ekskluzivisht nga Ballkani.info, thuhet se Gjykata ka nxjerrë aktvendim, duke e aprovuar si të bazuar kërkesën dhe duke e shtyrë ekzekutimin e vendimit të datës 19 prill 2023.

Gjykata ka vlerësuar se shtyrja e përkohshme e ekzekutimit të vendimit të kundërshtuar dhe pezullimi i aktivitetit të prokurimit “Ndërtimi i Rrugës A – Pjesa e parë”, iniciuar nga Komuna e Prishtinës, deri në shqyrtimin e pretendimeve të ngritura për shkeljet procedurale është më se i duhur, që të ruhet interesi publik, pasi që bëhet fjalë për projekt mbi 8 milionë euro, para të taksapaguesve kosovarë.

Në vendim po ashtu thuhet se qëllimi i masës së përkohshme është interesi publik, në mënyrë që të vërtetohet se operatori ekonomik “Sallahu” është i përshtatshëm dhe i besueshëm, se do punimet do t’i realizojë pa mashtrime, pa manipulime, duke përmbushur zotimet dhe duke vepruar nën përgjegjësi ligjore.

Gjykata e ka vlerësuar si të papranueshëm pretendimin e OE “Sallahu”, se “fitimi i humbur cilësohet dëm monetar i realizueshëm dhe i cili do të realizohej pa ndonjë vështirësi në rastet kur kemi të bëjmë me institucione shtetërore.”

Vlerësimi i Gjykatës

Me qëllim të vlerësimit të këtij propozimi, gjykata ju referua nenit 22, paragrafi 2 të Ligjit Nr. 03/L-202 për Konfliktet Administrative (LKA) i cili përcakton se: “Me kërkesën e paditësit, organi akti i cilit ekzekutohet gjegjësisht organi që është kompetent për ekzekutim, mund ta shtyjë ekzekutimin deri në vendimin definitive gjyqësor, nëse ekzekutimi do t’i sillte dëm paditësit, e cili vështirë do të riparohej, kurse shtyrja nuk është në kundërshtim me interesin publik, as shtyrja  do t’i sillte ndonjë dëm të madh palës kundërshtare përkatësisht personit të interesuar”. Po ashtu në paragrafin 6 përcaktohet se “Paditësi mund të kërkojë edhe nga gjykata shtyrjen e ekzekutimit të aktit administrativ deri në marrjen e vendimit gjyqësor, sipas kushteve të parapara ne paragrafin 2 të këtij neni” dhe nenit 27 par. 1 të Ligjit 08/L-015 për Gjykatën Komerciale I cili përcakton se “Jo më vonë se tre(3) ditë nga marrja e një kërkese për masë të përkohshme ose lehtësim tjetër urgjent , në përputhje me ligjet në fuqi, dhoma e shkallës së parë e konsideron dhe vendos për një kërkesë të tillë pa dëgjim të palëve në seancë”.

Bazuar në nenin 22 par.2 të LKA-së për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit duhet të plotësohen në mënyrë kumulative kushtet e përcaktuar: a) ekzekutimi do t’i sillte dëm paditësit, I cili vështirë do të riparohej; b) shtyrja të mos jetë në kundërshtim me interesin publik; c) shtyrja nuk do t’i sillte ndonjë dëm të madh palës kundërshtare përkatësisht personit të interesuar.

Gjykata shqyrtoi pretendimet paditësit të paraqitura në propozim për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit dhe vlerësoi se në rastin konkret janë plotësuar kushtet ligjore për të aprovuar të njëjtën pasi që propozuesi e ka argumentuar me prova të besueshme faktin se ekzekutimi I vendimit do t’i sillte dëm I cili vështirë do të riparohej, se shtyrja nuk është në kundërshtim me interesin publik, si dhe faktin se shtyra nuk do t’i sillte ndonjë dëm të madh palës kundërshtare përkatësisht personit të interesuar, kushtet këto të përcaktuara në nenin 22 par 2 të LKA-së. 

Gjykata vlerëson se pretendimi kryesor i paditësit “Pro &CO Group”, Sh.p.k, për shtyrje të ekzekutimit të vendimit të kundërshtuar që rezulton me shkaktimin e dëmit të pariparurshëm për paditësin, taksapaguesit dhe buxhetin e Komunës së Prishtinës është pretendimi se e paditura dhe autoriteti kontraktues kanë bërë shkelje të nenit 65 të Ligjit (Nr.04/L-042) për Prokurim Publik në Republikën e Kosovës (LPP), duke shpërblyer me kontratë Operatorin Ekonomik “Sallahu” Sh.p.k për ndërtimin e rrugës A-pjesa e parë, sipas aktivitetit të prokurimit 616-22-7096-5-1-2, Drejtori i të cilin është i dënuar për veprën penale ”Falsifikim i Dokumentit Zyrtar nga neni 398 par.2 të KPRK-së. Përkundër faktit të ditur për veprën e kryer, dhe njohurive se OE “Sallahu”, ka nënshkruar deklaratën nën betim mbi përshtatshmërinë me rastin e aplikimit për tender. Kërkesës për shtyrje ia ka bashkangjitur Aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda PKR. Nr. 16/2018 të datës 30.03.2018.

Përderisa një pretendim të tillë OE “Sallahu” Sh.p.k e konsideron si deklarim të rremë dhe diskredituese në emër të OE Sallahu SHPK duke etiketuar si kryes të veprës penale Keqpërdorim dhe mashtrim në Prokurim Publik nga neni 415 par 1 të KPRK-së, pas asnjë vendim të gjykatës, me arsyetim se në dosjen tenderuese janë dorëzuar dëshmitë e kërkuar mbi pranueshmërinë. përshtatshmërinë e operatorit “Sallahu” sipas nenit 65 të LPP-së në të cilat nuk ka shënime në OE ka ndonjë dënim të gjykatës.

Ligji nr. 04/1-042 për Prokurim Publik në Republikën e Kosovës (LPP) Neni 65 paragrafi 3 përcakton Operatorin ekonomik nuk ka të drejtë që të marrë pjesë në një aktivitet të prokurimit ose në ekzekutimin e ndonjë kontrate publike, nëse operatori i tillë ekonomik, ndonjë drejtues, menaxher ose drejtor i saj gjatë dhjetë viteve të kaluara; është shpallur fajtor nga një gjykatë kompetente për kryerjen e një vepre penale ose civile duke përfshirë praktikat e korrupsionit, larjen e parave, dhënien e mitos, avantazhe ose aktivitet e ngjashme me ato të përshkruara në paragrafin 1. të nenit 130 të këtij ligji sipas ligjeve dhe rregulloreve në fuqi në Kosovë ose në cilindo shtet , ose në çfarëdo marrëveshje ose konvente ndërkombëtare.

Prandaj bazuar në nenin 63.3  të LPP-së, Gjykata vlerëson se pretendimi i ngritur nga paditësi “Pro&CO Group”, Sh.p.k, dhe i mbështetur në provë të besueshme Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda PKR. Nr.16/2018 të datës 30.03.2018, paraqet një çështje serioze që vë në dyshim përshtatshmërinë e OE “Sallahu” Sh.p.k, për ndërtimin e rrugës A- pjesa e parë, sipas aktivitetit të prokurimit 616-22-7096-5-1-2, Gjykata vlerëson se është e domosdoshme që ky pretendim të sqarohet në procedurë gjyqësore në bazë të provave të administruara para realizimit të projektit. Sepse duke pas parasysh rëndësinë e vërtetimit me vlerë prej 8,479,801,66 Euro, të financuara me paratë publike, pa u vërtetuar një pretendim i tillë kaq serioz, dëmi që do të shkaktohej është çdo aspekt i pariparueshëm dhe jo vetëm për paditësit, por e dëmton rëndë interesin publik sepse vë në dyshim realizimin e tërë projektit.

Dëmi do të ishte vështirë i riparueshëm për paditësit-propozuesit sepse paditësi do të privohej nga e drejta për t’ju nënshtruar një procedure të ligjshme, transparente dhe pa diskriminim ndaj të gjithë operatorëve ekonomik në procesin e përzedhjes për realizim të aktivitetit të prokurimit. Në këtë mënyrë i njëjti nuk do të privohej vetëm nga përfitimit monetare por edhe nga mundësia e fitimit të përvojës profesionale në zhvillimin e aktivitetit të tij të rregullt ekonomik në një ambient ekonomik të besueshëm ku funksion rendi publik dhe sundimi i ligjit.

Dëmi do të ishte vështirë i riparueshëm edhe për OE “Sallahu”, sepse i njëjti ka filluar dhe i ka vazhduar punimet përkundër faktit që aktvendimi për masë të përkohshme -shtyrje të ekzekutimit nuk ishin bërë asnjë herë të plotfuqishme. OE “Sallahu” ka vazhduar me implementimin e një kontratë të kontestueshme duke realizuar punime dhe duke marrë edhe obligime kontraktuale pa marrë parasysh faktin se lidhur me pretendimit që e vënë në dyshim përshtatshmërinë e tij për realizimin e projektit është duke u zhvilluar procedurë gjyqësore.

Megjithatë, pa paragjykuar rezultatin përfundimtar, gjykata vlerëson se vërtetimi i bazueshmërisë së pretendimeve në seancë gjyqësore , do të vë të njëjtin në një pozitë më të sigurtë në mënyrë që shpenzimet e bëra në realizimin e një kontrate te kontestueshme nuk do të jenë dëme vështire të riparueshme dhe të pakompenzueshme për të. Prandaj vendosja e masës së përkohshme është edhe në dobi të OE “Sallahu”.

Gjykata po ashtu vlerëson  se shtyrja e përkohshme e ekzekutimit të vendimit të kundërshtuar dhe pezullimi i aktivitetit të prokurimit “Ndërtimi i Rrugës A-Pjesa e Parë”, me numër të prokurimit 616-22-7096-5-1-2, iniciuar nga Autoriteti Kontraktues Komuna e Prishtinës, deri në shqyrtimin e pretendimeve të ngritura për shkeljet e pretenduara procedurale është më se i duhur që të ruhet interesi publik. Kjo po ashtu do të evitoj çfarëdo dyshimi për keqpërdorim të fondeve publike nga Autoriteti Kontraktues. Në të kundërtën realizimi i projekti para përfundimit të shqyrtimit gjyqësor do të ndikonte negativisht në besimin e publikut lidhur me shfrytëzimin e fondeve publike nga Autoriteti Kontraktues.

Gjykata sqaron se shtyrja e përkohshme e aktivitetit të prokurimit deri në përfundim të shqyrtimit gjyqësor nuk është asnjë pengesë dhe as ndalës për Ndërtimin e Rrugës A. Qëllimi i masës së përkohshme  është pikërisht interesi publik në mënyrë që të vërtetohet se operatori ekonomik-realizues i punimeve është i përshtatshëm dhe i besueshëm se punimet do t’i realizoj pa mashtrime, pa manipulime, duke përmbushur në përpikëri zotimet dhe duke vepruar nën përgjegjësi ligjore.

Gjykata e vlerëson ta pa pranueshëm pretendim e OE “Sallahu” se fitimi i humbur cilësohet dëm monetar i realizueshëm dhe i cili do të realizohej pa ndonjë vështirësi në raste kur kemi të bëjmë me institucionet shtetërore. Një arsyetim i tillë  është i papranueshëm pikërisht për faktin se kemi të bëjmë me institucion shtetëror, sepse gjykata ka detyrim ligjor dhe kushtetues që të ushtroj kontroll gjyqësor ndaj vendimeve të organeve administrative për të garantuar ligjshmëri në aktivitet e prokurimit që paguhen me fondet publike. Në një mënyrë që të siguroj që nga fondet publike me veprime të kundërligjshme të mos paguhet dyfishi apo trefishi që do të duhej të paguhej për realizimin e një projekti.

Gjykata rikujton parimet themelore të afirmuar në nenin 1 të LPP-së, për shfrytëzim në mënyrë transparente, efikase dhe të drejtë të fondeve publike, burimeve publike si dhe të gjitha fondeve dhe burimeve të tjera autoriteteve kontraktuese në Kosovë duke respektuar procedurat dhe detyrimet e përcaktuara nga të gjitha organet publike që zhvillojnë, përfshihen, marrin pjesë, në aktivitetet e prokurimit ose që përfshihen ose kanë të bëjnë me fondet dhe/ ose burimet e tilla. Parime këto fondamentale për mbrojtjen e interesit publik për të siguruar përdorim të ligjshëm të fondeve publike, mbrojtje të drejtave të operatorëve ekonomik dhe respektim të kushteve ligjore nga zyrtarët institucionale.

Pretendimin e OE “Sallahu” se paditësi “Pro&CO Group “, Sh.p.k nuk konsiderohet fare si palë e dëmtuar, pasi që proceduralisht nuk ka asnjë mundësi të jetë fitues i kontratës apo të realizojë ndonjë të drejtë, sepse i njëjti është renditur si në vendi e tretë, gjykata mund ta vlerësoj vetëm në bazë të administrimit të provave që gjenden në dosjen e tenderit. Por vlerëson se ky fakt nuk është me ndikim në vendosjen e masës së përkohshme.

Gjykata duke marrë në konsideratë se realizimi i Projektit për Ndërtimin e Rrugës A është në interes publik për mirëqenien e qytetarëve, prandaj që të mos prolongohet shqyrtimit i çështjes pa afat të caktuar, me këtë aktvendim e caktoj edhe seancës përgatitore për ta trajtuar me prioritet këtë çështje në mënyrë që çështja kontestuese të merr një epilog përfundimtar brenda një kohe të arsyeshme. Sepse gjykata vlerëson se nuk është në interes publik realizimi i projektit pa shqyrtimin e ligjshmërisë së vendimit të kontestuar sepse një gjë e tillë e vë tërësisht në dyshim realizimin e punimeve duke qenë që çështja esenciale është besueshmëria e OE punë kryes.

Prandaj, duke qenë se në mënyrë kumulative janë plotësuar të gjitha kushtet e përcaktuara në nenin 22 par. 2 të LKA-së, bazuar në nenet 13, par 1, nën par.1.12 lidhur me par. 5 të Ligjit nr. 08/L-015 për Gjykatën Komerciale dhe nenin 22 par.7 të Ligjit për Konfliktet Administrative, gjykata vendosi si në dispozitiv të këtij Aktvendimi. /Ballkani.info/