DOKUMENT Komuna e Malishevës mbikëqyri punimet në asfaltin e bërë copë. Ja sa mijëra euro kushtoi projekti

267.270.00 euro është shuma që i ka kushtuar komunës së Malishevës për rrugën që lidhë fshatin Rud të Malishevës me fshatin Sferkë të Klinës, që është dëmtuar rëndë dhe është tërësisht e pakalueshme pas vërshimeve në vend, shkruan Ballkani.info.

Rruga e cila është bërë copë copë si petë lakrori, është bashkëfinancim i komunës së Malishevës dhe Ministrisë së Infrastrukurës, por mbikëqyrëse e realizimit të punimeve ka qenë komuna e Malishevës.

Në një dokument të siguruar ekskluzivisht nga Ballkani.info, shihet kontrata e komunës së Malishevës për asfaltimin e rrugës që lidhë fshatrat Rud- Sferkë.

Çmimi total i punëve është 267.270.00 euro, ndërsa kontrata është realizuar më 18.09.2019, transmeton Ballkani.info.

Dëmtimi i kësaj rruge ka sjellë reagime të shumta, ndërsa kjo rrugë sot është vizituar edhe nga kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili kritikoi cilësinë e dobët të asfaltimit dhe kërkoi nga Qeveria Hoti për mobilizim të menjëhershëm të të gjitha institucioneve përkatëse me qëllim të ndihmës dhe përkrahjes për qytetarët./Ballkani.info./