DOKUMENT| Kjo është fatura e majme në mbi 20 mijë euro që ministria e Rozeta Hajdarit pagoi për ekspertin e huaj

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, që drejtohet nga Rozeta Hajdari, e ka paguar një ekspert të huaj mbi 20 mijë euro. Këto para, eksperti i ka marrë për vetëm 23 ditë punë. Demokracia.com ka siguruar edhe faturën e kësaj pagese.

Angazhimi i një eksperti ndërkombëtar i ka kushtuar goxha para Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, që drejtohet nga Rozeta Hajdari.

Në fakt, një ditë punë e këtij eksperti është paguar pothuajse sa krejt paga që merr vetë ministrja për një muaj.

Në faturën që ka siguruar Demokracia.com shihet se për një ditë pune ky ekspert është paguar 898 euro.

Kurse, për 23 ditë punë, ai është paguar fiks 20 mijë e 658 euro.

Siç tregohet në faturë, puna e këtij eksperti ishte që të angazhohej në hartimin e një strategjie për Zhvillimin e Industrisë dhe Mbështetjen e Bizneseve.

Fatura për këtë punë e mban datën e 12 majit 2022.

Demokracia.com ka raportuar ditë më parë edhe për një rast kur Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ia ka dhënë një tender prej 30 mijë eurove një kompanie amerikane për “Shërbime juridike për nevojat e Inspektoratit të Tregut”.

Tenderi dhe kontrata ishte negociuar dhe i ishte dhënë kompanisë “Arent Fox LLP”, me seli në Uashington të SHBA-së./Demokracia.com/