Prokuroria Themelore e Prishtinës ka nisur hetimet ndaj doktorit Betim Morina për dëmtim të pronës së Qendrës Kombëtare të Kosovës për Transfuzionin e Gjakut (QKKTGJ).

Në dokumentin e siguruar nga Ballkani.info thuhet se më datë 18.10.2023, ishte publikuar një video ku shihej mjeku i QKKTGJ, Betim Morina teksa shkelmonte disa herë derën e një zyreje të këtij institucioni.

“Incidenti në fjalë, që kishte ndodhur më 20.03.2023, i kishte paraprirë një komunikim përmes SMS-ve në mes Betim Morinës dhe një pjesëtareje të stafit te QKKTGJ-së. Kjo e fundit A.G. (emër njohur për redaksinë) i kishte kërkuar mirëkuptim z.Morina për të mos e shqetësuar për këtë zyre sepse ishte shtatzënë dhe se zyra në fjalë asaj i ishte caktuar nga menaxhmenti”, thuhet në dokumentin e siguruar nga Ballkani.info.

Pavarësisht se Dr. Morina kishte një zyrë tjetër të caktuar, ai tentoi të hapë dhunshëm derën e zyrës së A.G. pa verifikuar nëse ishte dikush brenda, duke e dëmtuar atë në përpjekje për ta hapur.

“z. Morina edhe pse i ishte caktuar një zyre tjetër, ai pa provuar fare që ta verifikoj se a ishte dikush brenda apo jo, dhunshëm tenton ta hape derën e zyrës në fjalë duke e goditur me shkelma. Për fat te mire A.G. atë dite nuk ishte ne zyre, pasi kishte marre pushim për shkak te gjendjes shëndetësore. Pas kësaj ajo kishte marre telefonata nga kolegët qe mos te dal ne pune pasi dr. Betimi ka tentuar te hyj me force në zyrën e saj. Sjellja e vrazhde e z. Morina ka shkaktuar shqetësim te stafi i pranishëm”, thuhet më tej në dokument.

Kujtojmë se Betim Morina gjithashtu po hetohet për një rast të mëparshëm të sulmit fizik dhe lëndimit të rëndë trupor që ndodhi në objektin e QKKTGJ-së në tetorin e vitit të kaluar. Për këtë rast, Dr. Morina, si i dyshuar, u arrestua dhe qëndroi në paraburgim për 48 orë dhe më pas në arrest shtëpiak për një muaj.