Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, ka reaguar ashpër ndaj Vetëvendosjes, duke e akuzuar se i ka mundësuar Listës Serbe që ta ketë pozitën e nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës.

Haradinaj rikujtoi se në prill të vitit 2010, Kuvendi kishte miratuar Rregulloren e Punës, e cila nuk i jepte ekskluzivitet asnjë partie politike serbe për këtë pozitë. Por, sipas tij, në korrik të vitit 2022, shumica parlamentare e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje ka miratuar rregulloren e re që ia garanton Listës Serbe këtë post.

“Se kush ka pasur shumicën në vitin 2010 e kush në vitin 2022 tashmë dihet. Patriotizmi sezonal është veti e mashtruesve të lindur. Folni fshehtas, zgërdhihuni nëpër bufe me dreqin e të birin, bëni plane skutave, e në publik na shitni moral. Marrë ju qoftë!”, ka shkruar Haradinaj.

Sipas tij, kjo është dëshmi e hipokrizisë politike dhe e mungesës së konsekuencës në mbrojtjen e interesave të vendit.