LAJMI I FUNDIT

Dodik paralajmëron bllokadë në Bosnjë, pasi që ministri boshnjak tha se në RS ka kampe paraushtarake ruse

Presidenti i Republikës Serbe të Bosnjës, Milorad Dodik, ka paralajmëruar sot bllokada të reja në nivel shtetëror për shkak të deklaratave të ministrit të Mbrojtjes të BeH, Zukan Helez për kampet e stërvitjes paraushtarake ruse në territorin e Republikës Serbe.

Për gazetarët në Sarajevën Lindore, Dodik i quajti pretendimet e Helezit “budallaqe”, duke njoftuar se përfaqësuesit e RS do të bllokojnë çdo vendim lidhur me mbrojtjen në Këshillin e Ministrave të BeH, transmeton Ballkani.info.

Ai theksoi se nuk dihet se çfarë po mendonte Helez dhe se nuk ka ndërmend të merret me të.

“Por do të them publikisht, pasi e njoh nënkryetarin e Këshillit të Ministrave, Stasha Kosharac, se asnjë vendim në Këshillin e Ministrave në lidhje me mbrojtjen nuk do të kalojë derisa ai (Helezi) të jetë ministër”, theksoi Dodik.

Sipas tij, “nuk mund të pranohet që dikush të jetë ministër i përbashkët dhe të gënjen kaq shumë”.

Ministri i Mbrojtjes i BeH-së, Zukan Helez tha disa ditë më parë se ka kampe trajnimi për formacionet paraushtarake në RS, të cilat drejtohen nga rusët. /Ballkani.info/