Helikopteri i MUP së Serbisë (Ministria e Punëve të Brendshme), me numër regjistrimi YU-VIP F-WWOC, i cili zbarkoi në Hvar të Kroacisë të martën në të cilin ishte presidenti i Republikës Srpska, Milorad Dodik, ka hyrë në Kroaci si një avion i zakonshëm civil, shkruan gazeta kroate, Jutarnji list.
Kjo, thonë ata, rrjedh nga përgjigja e Kontrollit të Trafikut Ajror Kroat (HKZP) drejtuar Jutarnji List, ku thuhet se “plani i fluturimit për fluturimin në fjalë i është dorëzuar Kontrollit të Trafikut Ajror Kroat nga ARO (Zyra Raportuese ATS) e aeroporti i Banja Llukës. Në planin e fluturimit, në kolonën e parashikuar për të nuk shënohej status i veçantë i fluturimit”.
Kjo do të thotë se organet zyrtare të Republikës Srpska dhe Serbisë kanë mashtruar plotësisht organet zyrtare të Republikës së Kroacisë dhe kanë shkelur të gjitha protokollet e vlefshme diplomatike sepse kanë raportuar avionin shtetëror si civilin më të zakonshëm.
Në përgjigjen e HKZP-së thuhet gjithashtu se “të dhënat nga plani i fluturimit nuk përmbajnë të dhëna për identitetin e pasagjerëve dhe për këtë HKZP nuk kishte asnjë informacion se kush ndodhej në helikopter”.
Ndryshe nga ata, shërbimet kroate të sigurisë e dinin se kush po vinte në Hvar me këtë helikopter. Gjegjësisht, siç është mësuar, pak ditë më parë Zyra e Presidentit njoftoi policinë se në Kroaci po vinte një helikopter me pesë pasagjerë dhe emrat e tyre ishin përcjellë për kontroll kufitar. Dhe policia u njoftua paraprakisht se Dodik do të shoqërohej nga roja i tij i sigurisë, i cili ka me vete armë personale, gjë që u vendos me protokollin e zakonshëm.
Pritja e udhëtarëve në heliportin e Hvarit është marrë përsipër nga punonjësit e Zyrës për Çështje të Sigurisë të MPB-së, të cilët me veturat e tyre i kanë transportuar mysafirët në rezidencën e presidentit. Prandaj, tingëllojnë të pabesueshme fjalët e kryeministrit Andrej Plenkoviq se nuk e ka ditur që Dodik ka ardhur në Hvar derisa në internet ka parë se Aleksandar Vuçiq ka thënë se ka ardhur me helikopter nga Republika e Serbisë.
Mendohet se duhet të ishte informuar për këtë nga Ministri i Punëve të Brendshme, njerëzit e të cilit e dinin disa ditë më parë dhe po e siguronin në Hvar.
Shkelja më e madhe e sigurisë në këtë rast është hyrja e helikopterit të MPB-së së Serbisë në hapësirën ajrore kroate, i cili praktikisht fluturoi mbi gjysmën e Kroacisë pa mbikëqyrje. Çfarë pajisje kishte helikopteri dhe nëse fluturimi ishte përdorur ndoshta për regjistrime të caktuara të terrenit dhe objekteve, mbetet e panjohur.
Dodik ka fluturuar drejt Kroacisë me një helikopter VIP të tipit Super Puma, i cili ka mbërritur në radhët e policisë serbe vitin e kaluar.
Ministri i Jashtëm kroat, Gordan Grliq Radman, konfirmoi dje se janë shkelur të gjitha procedurat, duke thënë se “Ministria e Punëve të Jashtme nuk kishte informacion për ardhjen e Milorad Dodik në Kroaci dhe takimin e tij me presidentin Zoran Milanoviq”. Mënyra e zakonshme është njoftimi i Ministrisë së Jashtme, dërgimi i një note diplomatike. Pra, presidenti u pajtua për këtë.
Sipas procedurës, kur një person me statusin e presidentit vjen në Kroaci, misioni diplomatik i atij vendi fillimisht njofton Ministrinë e Jashtme të Kroacisë, e cila njofton Ministrinë e Mbrojtjes, e cila jep miratimin dhe MPJ-ja më pas dërgon miratimi. Duke pasur parasysh se helikopteri është në pronësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, Republika e Serbisë, sipas procedurës, është dashur ta njoftojë Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kroacisë se helikopteri i tyre do të hyjë në Kroaci.
Kur një person në rangun e presidentit vjen në Kroaci me avion, MPJ-ja njofton Agjencinë e Aviacionit Civil dhe agjencia e “shënon” fluturimin si diplomatik. Nuk kishte asgjë nga kjo në këtë rast.
Ndonëse situata është shumë e rëndë, kryeministri Plenkoviq të enjten ka bërë një referencë shumë sarkastike për këtë temë të nxitur nga pyetjet e gazetarëve. Ai tha se tani pret që opozita të kërkojë një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit për të diskutuar se si dikush nga misioni diplomatik ka ardhur në Kroaci pa notë dhe të kërkojë përgjegjësinë e presidentit pasi i ftuari i tij ka ardhur pa e njoftuar në mënyrën e zakonshme.
Ndonëse MPB-ja është njoftuar me kohë për ardhjen e Dodikut, kryeministri ka thënë të enjten se me sa ka ditur ai, as MPB-ja nuk ka ditur për këtë. “Dëshiroj të them se çdo gjë do të ishte miratuar nëse do të kërkoheshin shërbimet, kështu që kjo duket pak jashtë linjave”, tha ai.







