“Do nxjerrim karriget jashtë”/ Mbyllja e vendit për festa, bizneset paralajmërojnë protesta

Vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë për kufizimin e orareve të lëvizjes pas 20:30, duke mbyllur lokalet, baret dhe restorantet, ka nxitur edhe më tej zemëratën e bizneseve të këtij sektori.

Pronarët e lokaleve shprehen se paguajnë çdo detyrim ndaj shtetit pa asnjë tolerim, ndërsa mbajnë të punësuar një numër të konsiderueshëm njerëzish.

Sipas shoqatës që përfaqëson dhe mbron interesat e tyre, këto biznese janë tashmë në krizë pasi kanë vetëm 50% të xhiros, xhiro që pritet të reduktohet edhe më tej me uljen edhe më tutje të orarit të kufizimit.

I ftuar në “Wake Up”, Enri Jahaj nga Shoqata e Restoranteve, Bareve dhe Klubeve të Natës theksoi se bizneset janë në prag të falimentimit.

‘Unë ta jap me bindje që kanë qenë rreth 30 për qind e jona që prisnin këto festa të merrnin pak ajrosje ekonomike.

Sot gjenden përballë një fakti që do të duhet të ulin qepenat dhe ndoshta nuk do ta ngrenë më atë qepen. Sektori jonë është një ndër më të prekurit në shkallë botërore dhe jo vetëm në Shqipëri.

Ky kufizim me një orë e gjysmë është absurd, pasi nuk besoj se kjo kohë bën ndonjë diferencë me Covidin”, theksoi ai.

Më tej shtoi: “Sot po i dërgohet një letër e hapur kryeministrit dhe komitetit të ekspertëve, duke u kërkuar që të ulemi në tavolinë dhe të gjejmë zgjidhje për këtë muhabet, sepse nuk mund të zgjatet më shumë.

Nëse nuk marrim zgjidhje, do të fillojmë të kemi disa protesta, si të them, jo të përqendruara sepse janë të ndaluara, pro vizuale. Çdo lokal do nxjerrë karriget boshe jashtë lokalit”.