“Do kthejmë Arsenalin e madh”, Rice zbulon çfarë pëlqen te klubi londinez

Declan Rice është padyshim një ndër goditjet më të mëdha në merkaton e Arsenalit, por edhe në historinë e Premier League. Mesfushori është zyrtarizuar tashmë si lojtari më i ri i “topcinjve” me këta të fundit që shpenzuan shifrën rekord të 105 milionë paundëve për ta transferuar nga West Ham United.

24-vjeçari është i bindur se me fanellën e Arsenal do të mund të përmirësohet edhe më shumë dhe në fjalët e para si lojtar i “The Gunners”, shtoi se trajneri Mikel Arteta do të dijë të marrë maksimumin nga ai.

“Vij te Arsenal me një “uri” të madhe dhe vitet e mia më të mira do t’ia dedikoj këtij klubi. E di fare mirë se Mikel Arteta do të marrë maksimumin nga mua dhe që do të përmirësohem shumë duke luajtur nën drejtimin e tij. Mendoj se Arteta është menaxheri i duhur për të më rritur dhe mezi pres që të nis dhe të punoj me të.

Ajo që më pëlqen më shumë te ky ambient është se te Arsenali nuk mund të “flesh gjumë”, të duhet të japësh maksimumin në çdo stërvitje dhe në çdo ndeshje. Te Arsenal e kemi për detyrë të fitojmë. Duhet të rikthejmë Arsenalin e madh dhe duhet të marrim tituj”, u shpreh Rice.