Dje kishte ditëlindjen, sot Covid i mori jetën! Historia tragjike e 49 vjeçares shqiptare

Kjo e mërkurë rezulton të jetë një ndër ditët më të zeza në Shqipëri mbi rastet e fataliteve prej koronavirusit.

Sot u regjistruan 4 të vdekur në 24 orë, ku mes tyre dhe një vajzë vetëm 21 vjeçare.

Ndër viktimat ka qenë dhe një grua 49 vjeçare, e cila ndërroi jetë sot. Dje nëna e 7 fëmijëve kishte patur ditëlindjen, por sot mbylli sytë përgjithmonë.

Gruaja nga Kruja qëndronte prej 10 ditësh në intubim. Ajo ishte vetëkarantinuar derisa gjendja shëndetësore u përkeqësua, duke bërë të nevojshëm dërgimin e saj në spitalin infektiv të Tiranës.

Madje, fëmijët e saj i kishin bërë një dhuratë për ditëlindje, pavarësisht se nëna e tyre mbase mund edhe të mos e ketë parë për shkak të faktit se qëndronte e intubuar. ‘Surprizën’ e bëri publik këtë të mërkurë Ministrja e Shëndetësisë Manastirliu përmes kësaj fotoje.

Por historia e kësaj nëne nuk mbaron me kaq. Vjehrra e saj para disa kohësh ka qenë pjesë e kronikave në media, teksa i bënte thirrje kryeministrit për ndihmë, pasi shtëpinë e kishte të dëmtuar prej tërmetit dhe kishte mbetur në çadër. Abcneës në atë kohë e përcolli apelin e gjyshe Xhumës, e cila kërkonte një kontejner për të jetuar.