“Djali vdiq, babai nuk e dinte” – Katër anëtarë të familjes Thaçi në frontin e parë të pandemisë, pulmologu rrëfen për vështirësitë

Katër anëtarë të familjes Thaçi, që nga muaji mars janë duke u ballafaquar me pandeminë COVID-19. Edhe pse kishte shumë të panjohura në lidhje me virusin, ata asnjëherë nuk u tërhoqën para vështirësive që u erdhën.

Pulmologu Shpëtim Thaçi, bashkë me bashkëshorten e tij Vlora Esati-Thaçi, babain Bahri Thaçi dhe nënën e tij Hava Thaçi, tashmë 10 muaj janë në vijën e parë të frontit duke u ballafaquar me pandeminë COVID-19.

Që nga atëherë ata nuk kanë pushuar as edhe një ditë, kjo për shkak të misionit të tyre për të mbrojtur dhe shpëtuar jetën e qytetarëve.

Përkundër që pulmologu Shpëtim Thaçi bashkë me bashkëshorten e tij kishin dy fëmijë të vegjël, ata çdo ditë ishin në krye të detyrës. Aq më shumë, bashkëshortja e tij ishte edhe shtatzënë gjatë kohës sa po përballeshin me pandeminë dhe përkundër rrezikut që mund të infektohej me virus, ajo nuk hoqi dorë nga puna e saj, e nuk hoqi dorë nga qytetarët, të cilët më shumë se kurrë kishin nevojë për ndihmën e tyre.

Pulmologu Thaçi, tregon për media , për vështirësitë që i kanë pasur gjatë pandemisë. Ai rrëfen për momentet më të vështira gjatë punës e për momentet më të vështira në familje.

“Unë punoja paradite e bashkëshortja pasdite”. Kështu shprehet Thaçi teksa tregon se fëmijët i kishin të vegjël dhe nuk kishte se kush të kujdesej për ta.

Derisa ai punonte paradite, nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Prishtinë kishin gjetur mirëkuptim që bashkëshortja e tij Vlora Esati-Thaçi të punonte vetëm pasdite.

“Bashkë me bashkëshorten kemi qenë të angazhuar që nga fillimi i pandemisë. Përderisa unë kam punuar paradite, QKMF ka gjetur mirëkuptimin që ajo të punoj pasdite. Arsyeja kryesore ka qenë se i kemi pasur dy fëmijë të vegjël dhe është dashur të përshtatemi me orare që të qëndrojmë me ta në shtëpi pasi atë kohë nuk kanë qenë as çerdhet hapur, andaj nuk kemi pasur kujt të ja lajmë fëmijët”, ka thënë ai.

Ndërsa, për shkak të rrezikut se mund të infektoheshin në punë, e virusin ta kalonin te fëmijët, ai tregon se për një kohë të gjatë në shtëpi të gjithë kishin qëndruar me maska.

“Ka qenë vështirësi e dyfishtë pandemia. Ka qenë një virus i ri për të cilin nuk kishim përvojë në kuptimin e shkallës së infeksiziotetit, pacientët vinin në gjendje shumë të rëndë dhe ka qenë shumë e vështirë për ne. Nuk kishim njohuri se si sillet ky virus edhe në shtatzëni, e sa rrezikoheshin fëmijët nga ai. Andaj në fillim kemi qëndruar me maska gjatë gjithë kohës. Unë kam qëndruar edhe në dhomë tjetër sepse unë kam qenë direkt i kyçur te COVID’i”, thotë ai.

Për shkak të pandemisë, Thaçi deklaron se që nga muaji mars nuk kanë pushuar as një ditë. Aq më shumë, për tre muaj rresht çdo tre ditë ata kanë kujdestaruar.

“Ne nuk kemi pushim. Për tre muaj çdo tretën ditë kemi kujdestaruar nga dy mjekë specialistë në Klinikën e Pulmologjisë. Ka qenë ngarkesë e madhe. 101 pacientë kanë qenë në shtretër. Çdo ditë  është dashur t’i trajtojmë të gjithë. Praktikisht gjithë kohën kemi qenë në lëvizje. Por e rëndësishme ka qenë shpëtimi i jetës së qytetarëve”, shton ai.

Për shkak të punës, të katër anëtarët e kësaj familje ishin infektuar me virusin COVID-19.

Ndërsa, gjendja e babait të tij, pulmologut Bahri Thaçi ishte rënduar më së shumti.

Mirëpo, edhe ai e kishte kaluar këtë virus dhe menjëherë ishte kthyer në krye të detyrës.

Djali vdes, babai me COVID-19 nuk e di, momenti më i vështirë i pulmologut Thaçi

Pulmologu Thaçi thotë se ka pasur momente kur edhe vet është trishtuar nga ajo çfarë ka parë në klinikë.

Ai tregon se periudha më e rëndë ka qenë ajo e qershorit, kur numri i pacientëve në gjendje të rëndë shëndetësore ishte më i madh.

“Atëherë fluksi i pacientëve ka qenë jashtëzakonisht i madh. Secili prej atyre pacientëve ka ardhur në një gjendje të rëndë shëndetësore, me oksigjen. Atëherë numri i shtretërve pothuajse ishte në limitet e fundit të kapaciteteve. Ka qenë kjo periudha kur gjithçka u pa se nuk do të matet me numrin e të infektuarve dhe të shëruarve, por vetëm me numrin e të vdekurve”, thotë ai.

Ndërsa, ai ka rrëfyer edhe një nga momentet më të vështira që ka pasur gjatë kohës sa ka qenë në detyrë.

“Një prind bashkë me djalin e tij kanë qenë të hospitalizuar. Babai ka qenë 83 vjeçar ndërsa djali 43 vjeçar. Fatkeqësisht djali ka vdekur nga COVID-19. Ai ka qenë në dhomën numër 2 ndërsa babai i tij në dhomën numër 4. Familjarët nuk i kanë treguar atij për vdekjen e djalit. Ka qenë e pamundur me hy në dhomën e tij, gjithë kohën edhe në korridor nëse të ka pa ka thënë djali si është, a është më mirë? Në atë kohë kam pasur problem të kaloj në dhomën numër 4 për të shkuar në dhomën 5, sepse ka qenë e pamundur që ai të mos pyes se si e ka djalin”, tregon ai.

Ai thotë se pas 5 ditësh 83 vjeçari është liruar për në shtëpi, dhe atëherë ai është njoftuar nga familjarët për vdekjen e djalit.

Ndërsa, Thaçi tregon se ka pasur shumë raste kur edhe janë fyer nga familjarët e pacientëve, por që ka pasur edhe raste kur ata janë falënderuar për punën që kanë bërë.

Po ashtu, edhe ai vet ndjehet shumë mirënjohës për punën që kanë bërë punonjësit shëndetësorë në klinikë.

Thaçi thotë se gati se të gjithë punëtorët shëndetësorë në Pulmologji janë infektuar me virus dhe se përkundër që u është rënduar gjendja shëndetësore, në ditën e 15-të të gjithë janë kthyer në punë.

“Në klinikën tonë secili infermier dhe pulmolog është infektuar. Unë e kam kaluar virusin pa e ditur fare. Ne kemi pasur vështirësi sepse kemi qenë vetëm 12 pulmolog specialist. Por e mira e kësaj pune ka qenë se në ditën e 14 që është në protokolli që e kalon virusin, menjëherë punëtorët janë kthyer në kujdestari. Nuk ka asnjë infermier e as pulmolog që ka marrë tutje pushim edhe pse i ka takuar sepse ka pasur edhe prej atyre që kanë qenë në gjendje më të keqe”, shton ai.

Ndërsa, këta punëtorë shëndetëosrë nuk kanë arritur që të jenë pranë familjeve të tyre as në festa.

Derisa shumë qytetarë kanë pritur Vitin e Ri bashkë me familje, pulmologu Thaçi bashkë me shumë punëtorë tjerë shëndetësorë kanë pritur këtë festë larg familjes.