Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, i cili është edhe djali i Sami Lushtakut, i ka dhënë mbështetje idesë së Lëvizjes Vetëvendosje, që Murat Jashari të jetë kryeministër i një qeverie tranzitore, të cilën ai e ka quajtur qeveri me karater të unitetit kombëtar.

“Në lidhje me idenë e formimit të një qeverie me karakter të unitetit kombëtar ku do të drejtohej nga kryeministër Prof. Dr. Murat Jashari. Personalisht, si deputet i Kuvendit të Kosovës, e mbështes fuqishëm një ide të tillë”, ka thënë ai, transmeton Ballkani.info.

Sipas tij, kjo është rruga më e mirë që të krijojmë unitet gjithëkombëtar për t’i tejkaluar sfidat e mëdha siç janë: Dialogu Kosovë-Serbi dhe marrëveshja përfundimtare, tejkalimi i gjendjes socio-politike dhe ekonomike në vend si dhe fuqizimi dhe finalizimi i shtetit të Kosovës.

“Ky është qëndrim personal i imi dhe nuk paraqet domosdoshmërisht edhe qendrimin e subjektit politik të cilin e përfaqësoj”, ka shkruar Lushtaku.

Propozimi për një qeveri tranzitore ka dalë sonte nga kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani dhe menjëherë është mbështetur nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Megjithatë, ky propozim ka marrë kritika të forta sonte, duke thënë se po tentohet keqpërdorimi dhe instrumentalizimi i Murat Jasharit për interesa të VV-së. /Ballkani.info/