Ditë zie për mjekësinë shqiptare, ndahet nga jeta mjeku i Ortopedisë

Sot është ndarë nga jeta mjeku i njohur i Ortopedisë, profesori Panajot Boga.

Lajmin e ka bërë të ditur rektori i Universitetit të Mjekësisë, Arben Gjata, i cili ka bërë një dedikim për mjekun e njohur.

“Do na mungosh njeriu Panajot Boga, por do mbetet mes nesh profesionisti shembullor me gjithçka na le trashëgimi! Përveç fëmijëve të tu biologjikë, ke rritur shumë djem e vajza Profesor, prandaj do mbetesh i paharruar! Të qoftë e blertë lëndina! Homazhet bëhen nesër, 8 Qershor, nga ora 10-13 pranë ambienteve të Fakultetit të Mjekësisë”, ka shkruar Gjata në rrjetin social Facebook.

Ndërkohë, ish-ministri i Shëndetësisë, Tritan Shehu ka shkruar se sot është një ditë zie për mjekësinë shqiptare.

“Lamtumirë Prof. Dr. Panajot Boga! Sot është një ditë zi për mjekësinë e veçanërisht për ortopedinë shqiptare, që humbi mjekun e talentuar e novator, profesorin tonë, organizatorin energjik e të kudo gjendur, drejtuesin jetë gjatë të shërbimit të ortopedisë, aplikuesin e guximshëm e vizionar të shkencës e progresives në atë fushë kaq të gjerë të mjekësisë. Ngushellimet më të sinqerta familjes së tij, kolegëve, bashkëpunëtorëve të rinj e të dikurshëm, miqve, të gjithëve, për këtë humbje të madhe”, ka shkruar Shehu. 

Kujtojmë se, i ndjeri Boga ka qenë drejtues i shërbimit të Ortopedisë në Shqipëri për shumë vite, ndërkohë që edhe shërbimi ortopedik në Spitalin e Traumës në Tiranë mban emrin e tij.