Distanca nuk mjafton! Shkencëtarja paralajmëron se “spërkalat e koronavirusit” mund të mbërrijnë deri në 8 metra

Udhëzimi i distancës sociale për të qëndruar 1 metër larg nga të tjerët, mund të mos jetë i mjaftueshëm, paralajmëron një shkencëtare, pasi deklaron se koronavirusi mund të mbërrijë në 8 metra dhe të mbijetojë me orë të tëra.

Sipas mediave të huaja, profesoresha e asociuar, Lydia Bourouiba, e cila ka hulumtuar me vite dinamikën e kollës dhe teshtitave, paralajmëron në hulumtimin e publikuar së fundmi se udhëzimet aktuale janë të bazuara në modele të vjetëruara nga vitet e 30-ta.

Ajo thotë se pikat që sjellin patogjenin mund të “kërcejnë” deri në 8 metra.

Hulumtimi i saj i botuar në “Journal of the American Medical Association”, paralajmëron se spërklat që vendosen përgjatë trajektores mund të kontaminojnë sipërfaqet, dhe mbetjet ose bërthamat e pikave mund të qëndrojnë në ajër për orë të tëra.

Bourouiba shënon një raport të vitit 2020 nga Kina, që tregon se grimcat e virusit mund të gjenden në sistemet e ventilimit në dhomat spitalore të pacientëve me Covid-19.

Ajo potencon se udhëzimet aktuale janë thjeshtësuar shumë dhe mund të kufizojnë efektivitetin e ndërhyrjeve të propozuara kundër pandemisë vdekjeprurëse.

“Ekziston një urgjencë për rishikimin e udhëzimeve që janë plasuar nga Organizata Botërore e Shëndetit dhe Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, për nevojat e pajisjeve mbrojtëse veçanërisht për punonjësit e kujdesit shëndetësor të vijës së parë”, tha Bourouiba për USA Today.

Bourouiba ka shtuar se shpejtësitë e pikave mund arrijnë 10 deri në 30 metra në sekondë dhe maskat kirurgjikale dhe N95 të përdorura aktualisht nuk janë testuar për këto karakteristika të mundshme të emetimeve të frymëmarrjes.