Disa sporte vazhdojnë normalisht, pavarësisht masave të reja në Angli

Sporti profesionist në Angli do të zhvillohet edhe me dyer të mbyllura, përkundër bllokimit të ri që e njoftoi kryeministri Boris Johnson.

Kryeministri ka njoftuar se rregullat lidhur me aktivitetet sportive vlejnë njësoj si të Skocisë dhe ndeshjet do të vijojnë sipas orareve të paracaktuara.

Ushtrimet në ambiente të jashtme do të lejohen një herë në ditë ndërsa ato në palestra apo fusha tenisi do jenë të mbyllura, njofton BBC.

Britania e Madhe së fundmi ka regjistruar mbi 50.000 raste të reja të koronavirusit.

Në aktivitetet sportive shtatë ndeshje të EFL-së janë anuluar pasi disa ekipe janë prekur me COVID-19. Pos saj, katër ndeshje në Premier League janë shtyrë për shkak se disa futbollistë dhe pjesë të stafit kanë rezultuar pozitivë në testime.

Kryeministri britanik, Boris Johnson, ka urdhëruar të hënën izolimin e gjithmbarshëm të Anglisë në përpjekje për ta frenuar shtimin e rasteve të infektimit me variantin e ri, shumë më përhapës të koronavirusit.

Britania e Madhe ka evidentuar rastet e para të infektimit me variantin e ri të koronavirusit gjatë mesit të dhjetorit dhe që atëherë është ballafaquar me shtim të rasteve dhe izolim mbarëbotëror.