Disa nxënës në një shkollë të Sidneit pësojnë djegie të rënda pasi një eksperiment shkencor shkoi keq

Dy nxënës të një shkolle fillore në Sidnei pësuan djegie të rënda në fytyrë dhe gjoks dhe u dërguan në spital pasi një eksperiment shkencor shkoi keq.

Ata ishin mes 11 nxënësve dhe një të rrituri – që besohet të jetë mësuesi i tyre – të plagosur në incidentin në shkollën publike Manly West rreth orës 13:20 të së hënës, sipas kohës lokale, shkruajnë mediat e huaja.

Një nga nxënësit me djegie të rënda u transportua me helikopter në spitalin e fëmijëve Westmead ndërsa një tjetër u dërgua në atë spital me ambulancë.

Nëntë nxënësit e tjerë u dërguan në spitalet Royal North Shore dhe Northern Beaches. Edhe i rrituri është dërguar në spital në gjendje të qëndrueshme.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, secili nga departamenti i arsimit i NSW, policia e NSW dhe SafeWork NSW do të hetojnë incidentin.

Ministrja e arsimit e NSW, Sarah Mitchell, falënderoi stafin e shkollës që “veproi kaq shpejt për të ofruar ndihmën e parë dhe për të thirrur shërbimet e urgjencës”.