Diplomati suedez, shef i EULEX-it, lavdëron Hotin: Po i kursen paratë e kosovarëve, po udhëton me biletë të lirë

Shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark ka pasur fjalë të mira dhe lëvdata për kryeministrin Avdullah Hoti para nisjes për në Bruksel.

“Ia heqi kapelën kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, i cili sot udhëtoi bashkë me neve në klasën ekonomike, në linjen ajrore Prishtinë-Vjenë dhe më pas në aeroplanin nga Vjena në Bruksel. Sa kryeministra të tjerë të Ballkanit Perëndimor do t’i kursenin të hollat e taksapaguesve në këtë mënyrë?”, ka shkruar Wigemark në Twitter.

Wigemark është diplomat karriere nga Suedia.

Hoti, nesër, në orën 16:00 do të takohet në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq. Ky konsiderohet edhe rifillimi i dialogut Kosovë-Serbi pas ndërprerjes dyvjeçare. /Ballkani.info/