Një fotografi e Drin Zatriqit, në të cilën ai shihet në shoqërinë e Ermal Hoxhës, të dënuarit për pjesëmarrje në një grup kriminal për trafikun e kokainës, nxit dyshime mbi të kaluarën e ish-menaxherit të disa këngëtarëve kosovarë.

Zatriqi, i cili është në ndjekje të Policisë së Kosovës nën akuzat për shpërndarje të substancave narkotike, ndodhet në arrati në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Një fotografi të cilën e ka siguruar Insajderi, shfaq Drin Zatriqin në shoqërinë e Ermal Hoxhës, të dënuarit për trafik të kokainës në Shqipëri.

Fotografia është realizuar disa vjet më parë, para se Zatriqi të arratisej në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ermal Hoxha, i cili në fotografi shihet teksa qëndron krah ish-menaxherit të disa VIP-ave kosovarë, është nipi i Enver Hoxhës, diktatorit të Shqipërisë komuniste. Veprimtaria e tij është e njohur për autoritetet shqiptare të drejtësisë.

Hoxha është i dënuar për drogë.

Pesë vjet më parë, ai ishte shpallur fajtor për trafik të drogës në tentativë nga Gjykata e Krimeve të Rënda në Shqipëri.

Gjykata e Apelit e kishte dënuar atë me 6 vjet e 8 muaj burgim.

Hoxha ishte liruar me kusht nga qelia e burgut, tri vjet pas dënimit të shqiptuar nga gjykata e shkallës së dytë në Shqipëri.

Megjithatë, Drin Zatriqi vazhdon të ketë telashe me autoritetet e drejtësisë në Kosovë.

Policia e Kosovës është vënë në ndjekje të Zatriqit nga shtatori i vitit 2019. Ndaj tij, rëndojnë akuzat për shpërndarje të drogës nga Prokuroria Themelore e Ferizajt.

Ish-menaxheri i labelit Baba Stars, i cili nga Amerika është angazhuar në mbështetje të Lëvizjes Vetëvendosje, akuzohet për blerje e shitje të substancave narkotike.

Por, Zatriqi nuk është përballur ende me pretendimet e Prokurorisë së Shtetit në Gjykatë. Është arratisur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës disa vjet më parë.

Derisa ndodhet në ndjekje nga Policia e Kosovës, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Drin Zatriqi është vënë në shërbim të Lëvizjes Vetëvendosje.

Gjatë fushatës së zgjedhjeve nacionale të 6 tetorit, ai mori pjesë në organizime që kishin për qëllim mbledhjen e votave të diasporës për Lëvizjen Vetëvendosje në Nju Jork të ShBA-ve.