Ishte viti 2015, atëherë kur ministri i asokohëshëm i qeverisë së Kosovës, Aleksandër Jabllanoviq kishte ofenduar viktimat e luftës në Kosovë dhe gratë e dhunuara e kishte mohuar krimet serbe në Kosovë.

Aso kohe, Lëvizja Vetëvendosje kishte organizuar protesta duke kërkuar shkarkimin e ministrit Jabllanoviq, protesta këto që kishin eskaluar në dhunë ndaj policisë dhe institucioneve.

Dhjetra policë të Kosovës e dhjetra aktivistë ishin plagosur në këto protesta, derisa u arrit qëllimi dhe Jabllanoviq u shkarkua.

Ndërsa mbrëmë, këshilltari i kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, Shkelzen Gashi nëpërmjet një deklarate ka thënë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka kryer krime të luftës ndaj civilëve serbë.

Ai ka thënë se raporti i Dick Martyt është në rregull sepse në Kosovë ka 1000 serbë civilë të vrarë dhe për këtë duhet të kërkohet drejtësi, duke thënë se këto vrasje janë kryer nga UÇK-ja.

Deklarata e zyrtarit të qeverisë së Kosovës u bë shpejt top lajm në ballinat e mediave serbe – ndërsa ngjalli reagime të mëdha në spektrin politik në Kosovë por edhe në mbarë opinionin publik.

Ndërsa, lidhur me këtë çështje ende në heshtje po qëndron shefi i Gashit, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti i cili nuk ka ndërmarrë asnjë hap – madje as deklarim lidhur me këtë çështje.

Shkarkimin ose dorëheqjen e Gashit e kanë kërkuar edhe zyrtarë të lartë, deputetë e ish-deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje.