Dikur gazlotsjellës parlamentit të Kosovës, sot Kurti po i “çon pluhur” Malit të Zi për demarkacionin

Rihapja e çështjes së rishënimit të kufijve tashmë të demarkuar me Marrëveshjen për Demarkacionin e vitit 2015 ka sjellë qëndrime diametralisht të kundërta mes palës kosovare dhe asaj malazeze. Pala kosovare po e sheh si të mundshme rishënimin kufitar, derisa ajo malazeze po e merr si çështje të kryer.

Ishte kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ai që e përmendi për herë të parë që nga fillimi i qeverisjes, pak ditë më parë, çështjen e ridefinimit të kufijve me Malin e Zi. Kurti, në përvjetorin e nënshkrimit të marrëveshjes së demarkacionit, deklaroi se qeveritë e kaluara padrejtësisht ia falën Malit të Zi 8200 hektarë të territorit të Kosovës, raporton lajmi.net.

“Shpresojmë që së shpejti Mali i Zi do të ketë Qeveri të re me të cilën do të mund të bisedojmë e ta trajtojmë këtë çështje. Për dallim nga qeveria paraprake e cila kishte për brenda elemente pro ruse, përveç se pro Beogradit dhe natyrisht që nuk kishte kushte për një trajtim të tillë”, tha Kurti.

Për çështjen e demarkimit të kufijve edhe njëherë foli edhe numri një i diplomacisë kosovare, Donika Gërvalla-Schwarz, për një medium malazez. Ajo e pa si çështje të pa kryer procesin e demarkimit, duke shfajësuar kërkesën e Qeverisë Kurti me ish-presidentin Hashim Thaçi.

“Demarkacioni mes Kosovës dhe Malit të Zi ende nuk ka përfunduar. Kjo duhet të shënohet në terren nga komisionet shtetërore të të dy vendeve, gjë që ende nuk është bërë. Raporti fillestar për punën e komisioneve të të dyja vendeve në Kosovë ngjalli reagime serioze në opinion dhe në institucione. Komisioni i ri, i cili më vonë u krijua nga qeveria e Kosovës, pretendon se ka konstatuar shkelje të rënda në punën e komisionit të parë. Deklarata e përbashkët e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidentit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, që ofron mundësinë e rishikimit të procesit dhe korrigjimet e mundshme në dy drejtime, Çakorrit dhe Kullës së Zhlepit, i mundësoi Kuvendit të Kosovës që këto tri dokumente në paketë t’i votojë si të barabarta. Jemi të bindur se këtë çështje do ta përmbyllim në mënyrën më të mirë të mundshme në një kohë më të favorshme, kur rajoni të jetë më i qetë”, deklaronte ajo për ‘Vijesti’.

Mirëpo këto deklarata nuk u mirëpriten nga Podgorica zyrtare. Kryeministri malazez, Zdravko Krivokapiq, teksa i quajti si “provokuese” dhe “cenim për integritetin territorial” ri-korrigjimin e kufijve, ide kjo e nisur nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“E konsideroj provokim të papranueshëm deklaratën e zotit Kurti që shpall aspirata të rrezikshme për cenim të integritetit territorial të Malit të Zi. Është interesant se nuk ka asnjë reagim nga presidenti i Malit të Zi dhe kryeministri ‘antikushtetues’ Dritan Abazoviq”, shkruajti ai në ‘Twitter’-in e tij.

Nga presidenca malazeze e panë si “punë të kryer” çështjen e demarkacionit.

“Si fillim, Mali i Zi është shtet anëtar i NATO-s. Demarkacioni ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës u finalizua në vitin 2015. Marrëveshja u konfirmua nga të dyja qeveritë në vitin 2015 dhe hyri në fuqi në vitin 2018. Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai malazez Filip Vujanoviq nënshkruan një deklaratë e përbashkët në shkurt 2018. Ata i bënë thirrje Kuvendit të Kosovës që ta ratifikojë marrëveshjen. Parlamenti i Kosovës e ratifikoi një muaj më vonë. Si dy shtete, ne duhet të ecim përpara për një jetë më të mirë për qytetarët tanë”, thanë nga kabineti i presidentit malazez, Milo Gjukanoviq.

Kryeministri Kurti, që ishte kundërshtar i kësaj marrëveshjeje, ende nuk ka formuar komisionin shtetëror për shënjimin e kufirit. Kreu i ekzekutivit kosovar, sa ishte në opozitë kritikonte marrëveshjen pasi që, sipas tij, ia ka humbur Kosovës 8.200 hektarë.

Nga viti 2015 e deri në vitin 2018, Lëvizja Vetëvendosje si parti opozitare, por edhe partitë tjera opozitare, e kundërshtuan ashpër Marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi.

Kundër kësaj marrëveshjeje u organizuan protesta të shumta, si në sheshe po ashtu edhe në sallën e Kuvendit.

Nën tymin e gazit lotsjellës, më 21 mars të vitit 2018, deputetët e Kuvendit të Kosovës votuan për ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, që konsiderohej si kriter për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi e nënshkruar në vitin 2015 në Vjenë të Austrisë, është plotësuar edhe me një aneks-marrëveshje ndërmjet dy ish-presidentëve, atij të Kosovës Hashim Thaçi dhe të Malit të Zi, Filip Vujanoviq.