Në orët e hershme të mëngjesit është djegur një shtëpi në fshatin Panorc të Malishevës, ku si pasojë e zjarrit ka vdekur një 76-vjeçar, derisa një tjetër person është dërguar në trajtim mjekësor në QKUK.

Lajmin për Ballkani.info e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj.

Ai tregoi se në shtëpi kanë qenë katër persona, njëri prej të cilëve nuk kishte arritur të dilte.

“Sot rreth orës 02:40, policia është njoftuar se në fshatin Panorc-Malishevë një shtëpi ishte përfshirë nga zjarri. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, po ashtu edhe zjarrfikësit. Në shtëpi kanë qenë duke banuar katër persona, njëri prej të cilëve nuk kishte arritur të dilte. Pasi është lokalizuar zjarri është gjetur viktima mashkullor i moshës 76 vjeçare, pa shenja jete”, ka thënë ai.

Elezaj tha se vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes.

“Po ashtu njëri prej të mbijetuarve për shkak të gjendje së rënduar shëndetësore, është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor”, tha Elezaj.

Ai tha më tej se në konsultim me prokurorin e shtetit është iniciuar rast “Zjarrvënie” dhe aktualisht janë duke u ndërmarrë veprimet e nevojshme për të hetuar shkaktarët e incidentit. /Ballkani.info