Dieta strikte po e mban Ibrahimoviqin 39-vjeçar në superformë

Zlatan Ibrahimoviqi është bërë lojtari më i vjetër që shënoi dhjetë gola në tetë ndeshjet e para në Serie A, dhe sulmuesi 39-vjeçar ka një dietë të veçantë për të falënderuar për këtë superformë.

Sulmuesi suedez po kalon sezonin e tij më të mirë në vitet e fundit dhe ekipi i tij, Milani, është lider në Serie A pas një starti të pamposhtur në edicionin 2020/21. Ka tubuar 20 pikë pas tetë xhirove, dy më shumë se Sassuolo që renditet në pozitën e dytë. Roma është e treta me 17 pikë derisa kampioni në fuqi, Juventusi, zë vendin e katërt në tabelë me 16 pikë të mbledhura.

Në tetë ndeshje të luajtura Milani ka regjistruar gjashtë fitore e dy barazime, si dhe ka shënuar 18 gola. Ibrahimoviqi në ndeshjen e fundit, atë ndaj Napolit që u luajt vikendin e shkuar, realizoi dy gola për ta ndihmuar Milanin që të triumfojë me rezultatin 3:1. Mirëpo Ibrahimoviqi ka statistika edhe më interesante që tregojnë ndikimin e tij te forma e mirë e skuadrës së Milanit këtë edicion. Në statistikat e fundit të nxjerra nga Serie A, sulmuesi po del të jetë futbollisti i tretë më i shpejtë në elitën e futbollit italian këtë edicion, pavarësisht se është njëri prej më të moshuarve në ligë.

Një prej arsyeve që Ibrahimoviqi po e mban këtë formë fantastike pavarësisht moshës është plani i tij i të ushqyerit, i cili është krahasuar me atë të yllit tjetër të Serie A, portugezit Cristiano Ronaldo. Ashtu si sulmuesi i Juventusit, Ronaldo edhe Ibrahimoviqi është i përpiktë me llojin e ushqimit që e ha dhe sa prej tij konsumon. Sipas magazinës italiane “GQ Italia”, Ibrahimoviqi e peshon secilin ushqim që e konsumon. Pra, çdo gjë e vë në peshore për të ditur gramin e saktë të atij ushqimi që e ha.

“Dieta e Ibrahimoviqit është shumë strikte. Kjo dietë është edhe arsyeja kryesore që Ibra po shkëlqen këtë edicion në Serie A me gjithë moshën e tij”, ka thënë një burim i afërt me Ibran.

Ushqimet e zakonshme të Ibrahimoviqit janë mishi i bardhë, mishi bresaola dhe perimet e freskëta. Sa u përket ushqimeve të ngrira, Ibrahimoviqi i ka eliminuar plotësisht, madje edhe akulloren e makaronat italiane që i ka hequr nga dieta e tij.

Në përgjithësi, dieta e tij kërkon shumë karbohidrate, megjithëse ai tenton ta marrë këtë konsum më shumë nga drithërat sesa nga makaronat – që janë shpesh një zgjedhje e preferuar te futbollistët. Krahas shumë karbohidrateve, Ibrahimoviqi ka angazhuar edhe një kuzhinier personal që kujdeset për ushqimet që i ka në dietë. Ai tashmë edhe është dobësuar dhe preferon ta mbajë peshën e tij midis 92 dhe 94 kilogramë.

Kjo mënyrë e përgatitjes së trupit të tij e kthen sulmuesin në vitin e parë në Serie A kur ishte te Juventusi, dhe ku Ibrahimoviqi mirëpriti këshillat e dhëna nga dietologët italianë që e urdhëruan atë të hante tetë bajame në ditë për shkak të pasurisë së tyre me magnez dhe “yndyra të mira”. Sidoqoftë, suedezi shpesh ka pasur telashe për të mbajtur dietën e tij në klubet e tjera ku ai ka luajtur, gjë që shpesh ka çuar në fjalosje mes tij dhe dietologëve.

Te Paris Saint-Germaini shpërtheu një mosmarrëveshje midis tij dhe shefit të klubit në lidhje me mungesën e frutave dhe perimeve të freskëta në qendrën e stërvitjeve. Mësohet se shefi i kuzhinës pretendoi se skuadra nga Ligue 1 nuk mund ta përballonte një gjë të tillë për shkak të buxhetit të limituar të ushqimit në klub. Justifikimi nuk ishte mjaft i bindshëm për Ibrahimoviqin dhe shefi i kuzhinës urdhëroi ndihmësit e tij të mblidhnin fruta dhe perime nga tregu lokal i ushqimit që ishte pranë qendrës stërvitore. Përkundrazi, në mënyrë të veçantë, Ibrahimoviqi nuk është adhurues i ushtrimeve në palestër, megjithëse ai bën pjesën e tij të duhur sa i përket forcës fizike dhe kondicionit me ekspertin e taekwondos nga Amerika e Jugut, Nilson Damacena.

Në vend që të shtojë muskujt e tij në palestër, 39-vjeçari beson se mënyra e taekwondos për të përmirësuar elasticitetin e muskujve të tij është më e përshtatshme për lojën e tij, duke marrë parasysh moshën që ka. Thjesht, Ibrahimoviqi ka vendosur këtë edicion që të bëjë një kombinim të arteve marciale dhe regjimit të tij të rreptë të ditës për të qëndruar sa më gjatë në nivelin më të lartë profesional të futbollit. \ Daily Mail