Diego Costa refuzon të stërvitet me Atleticon, kjo është arsyeja!

Rikthimi i Diego Costës te Atletico Madridi duket se nuk do të zgjasë më shumë se një sezon e gjysmë, pasi këtë verë sulmuesi spanjoll pritet të largohet sërish nga skuadra e drejtuar nga Diego Simeone.

Marrëdhëniet mes tij dhe klubit janë thyer tërësisht tashmë dhe gjatë ditës së djeshme, Diego Costa ka shkuar në qendrën stërvitore, por nuk ka preferuar të stërvitet me shokët e skuadrës, ndonëse nuk ka pasur asnjë shqetësim.

Mediat pranë klubit spanjoll raportojnë se shkak për këtë situatë është bërë vendimi i klubit për të hetuar sjelljen në fushë të Diego Costës dhe për ta ndëshkuar atë, me një gjobë të majme, pas pezullimit 8-javor që mori nga organet e Disiplinës në La Liga.

Atletico Madridi mbështeti Diego Costën pas pezullimit dhe ndoqi të gjithë hapat e apelimit, por pasi përfundoi gjithçka, i konfirmoi sulmuesit se me sjelljen e tij i ka prishur shumë punë klubit, ndaj do të merren masa për këtë rast.

Pikërisht kjo ka bërë që Diego Costa të mos stërvitet, ndërsa një tjetër arsye që të largohet nga Spanja, është se autoritetet fiskale kanë hapur një hetim për evazion fiskal ndaj sulmuesit, që pritet të gjobitet me më tepër se një milion euro.