Toby Vogel

Dialogu Kosovë-Serbi| Vogel: Vështirë të imagjinohet një zgjidhje para mesit të vitit 2025

Eksperti i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian (BE) nga Këshilli i Politikave të Demokratizimit (DPC) në Bruksel, Toby Vogel, në një intervistë për gazetën malazeze “Pobjeda” të dielën, ka thënë se minimale janë gjasat që të ketë lëvizje të rëndësishme në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi para mesit të vitit 2025.

Ai ka konsideruar se procesi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ka pësuar “vdekje klinike” pas ngjarjeve të fundit, ndërsa ka kritikuar ashpër shefin e diplomacisë së BE-së, Josep Borrell dhe Emisarin Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, pikërisht për shkak se të dy vijnë nga shtete që akoma nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

“Para së gjithash, mendoj se ishte një gabim i madh që shefi i politikës së jashtme të BE-së dhe negociatorët kryesorë vijnë nga pakica e vendeve anëtare të BE-së që nuk e njohin Kosovën. Janë pesë shtete anëtare (Spanja, Sllovakia, Greqia, Qipro dhe Rumania) që nuk e njohin Kosovën dhe nga këto ju zgjidhni shefin e politikës së jashtme dhe kryenegociatorin”.

“Dhe dialogu ka vazhduar për 10 vjet, kështu që padyshim diçka nuk është në rregull. Tani do të ishte shumë e vështirë të thuhet nëse bëhet fjalë për rivendosjen e formatin të dialogut apo nëse këto janë vetëm pyetje që mund të mos jenë të duhura për një zgjidhje të negociuar. Është e vështirë për mua të imagjinoj ndonjë zgjidhje, ndonjë marrëveshje, para mesit të vitit 2025”.

Vogel ka shtuar se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, do të pajtohej të nënshkruante një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi vetëm nëse arrin të marrë pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe ose të avancojë rrugën e Serbisë drejt anëtarësimit në BE.