Dialogu Kosovë-Serbi, historiani italian: Duhen zgjidhje, jo modele të gatshme

Në Prishtinë u prezantua një ekspertizë italiane për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Profesori i historisë bashkëkohore në Universitetin e Veronës, Giovanni Bernardini, këshilloi që zgjidhja e mosmarrëveshjeve të mos bëhet duke marrë modele të gatshme, por në bazë të situatës mes të dyja vendeve. Ai përmendi dhe rastin mes Italisë dhe Austrisë për Alto Adige në Tirolin e Jugut.

 “Zgjidhja kryesore që mund të marrin nga modeli i Tirolos së Jugut, është se kur kemi probleme për rastet etnike duhet ta gjejnë një zgjidhje duke u bazuar në vendin, situatën dhe jo duke marrë modele të gatshme nga jashtë. Për këtë duhet të vijnë ide të reja, inovative.”

Në një intervistë për Kosova press, profesori Italian tha se komuniteti ndërkombëtar mund të ketë një rol shumë të mirë në mënyrë që të dyja palët e përfshira mund t’I sheshojnë kundërshtitë me nëj marrëveshje për paqe.

“Qasja e komunitetit ndërkombëtar dhe BE-së ndaj aktorëve të përfshirë në çështje etnike, duhet të jetë një qasje pozitive që e lehtëson dialogun, mirëkuptimin mes tyre. Gjithashtu, në një mënyrë tjetër duhet edhe t’u japë një perspektivë për hyrjen, aderimin e tyre në BE, sepse në një mënyrë kjo duhet të jetë si një çmim për palët e interesuara, në mënyrë që të mos vazhdohet me rritjen e tensioneve”, shton profesori.

Ndër të tjera, profesori nga Italia tha se kohëzgjatja e mosmarrëveshjes siç ka ndodhur me Tirolin e Jugut, nuk duhet ta dekurajojë Kosovën për të gjetur një zgjidhje sa më të shpejtë.