Ish lojtari i Manchester Unitedit, Angel Di Maria beson se ish trajneri i “Djajve të Kuq”, Louis Van Gaal ka qenë fajtori kryesor për dështimin e tij në “Old Trafford”.
Reprezentuesi argjentinas realizoi vetëm 4 gola në 32 paraqitje me klubin anglez në vitin 2014, pas transferimit rekord në tërë Britaninë e Madhe.
Di Maria iu bashkua Unitedit nga Real Madridi për 59.7 milionë funte por kishte probleme të shfaqte vazhdimësi në formën e tij para se të largohej drejt PSG-së, një sezon më vonë.
Sidoqoftë ylli argjentinas beson se historia e tij te Manchester United mund të ishte shumë më ndryshe po që se në stolin e 20 herë kampionëve të Anglisë të mos ishte Van Gaali i cili e kritikonte vazhdimisht 30 vjeçarin.
“Unë qëndrova vetëm një vit. Nuk ishte viti më i mirë i karrierës sime ose nuk u lejova të kalojë kohën time më të mirë atje. Kishim disa probleme me trajnerin, por falë Zotit isha në gjendje të transferohesha te Paris Saint Germaini dhe të dëshmoj se kush jam”, potencoi Di Maria.
Di Maria do të rikthehet në “Old Trafford” teksa Manchester Unitedi do të pret PSG-në në ndeshjen e vlefshme për fazën me eliminim direkt në Champions League. Ish lojtari i “Djajve të Kuq” është i vetëdijshëm për kthesën e rezultateve që Unitedi e ka bërë prej se trajner u emërua Ole Gunnar Solskjaer.
“Ne ende kemi ndeshje tjera para se të ballafaqohemi me Unitedin. Ata kanë ndryshuar me trajnerin e ri dhe nuk kanë humbur asnjë takim. Mendoj se ne nuk e filluam si duhet kampanjën në Champions por pastaj rregulluam gjithçka. Ishte e komplikuar por ne patëm performanca të shkëlqyera me Liverpoolin në shtëpi dhe pastaj me Crvena Zvezdën. Tani duhet të mendojmë për sfidën e rradhës dhe në rast se i bëjmë gjërat mirë, gjithçka do të jetë në rregull”, përfundoi Di Maria.







