‘Dhurata nga Vucic’: Vëllai i Dritanit Abazovic dhe partnerja e Ana Brnabic hapin klinikë në Beograd

Kompanitë “Marera Real Estate Partners” dhe “Marera Properties” në mediat serbe janë paraqitur si firma ruse, por të gjitha të dhënat tregojnë se janë të lidhura me ministrin e financave të serbisë, Sinisa Mali, që pretendohet se ka blerë tani ndërtesën BIGZ në Beograd. Në këtë ndërtesë do të jetë edhe klinika e re e Djihan Abazovic dhe Milica Djurdjic, partnerja e kryeministres serbe Ana Brnabic,  pretendohet në median malazeze.

Nuk dihet çmimi i shitjes së ndërtesës që është monument kulture në Serbi por sipas gazetarit Predrag Popovic që i ka thënë televizionit malazias Gradska RTV se kjo ishte blerë për rreth 3.7 milionë euro.

Raportohet se pikërisht në ndërtesën e BIGZ do të hapet një klinikë pronarë të të cilës do të jenë Djihan Abazovic, vëllai i kryeministrit malazias Dritan Abazovic, dhe Milica Djurdjic, partnerja e kryeministres serb Ana Brnabic.

Në Serbi ka kohë që dihet se vëllezërit Mali, Sinisa dhe Predrag, kanë marrëdhënie shumë të mirë me Ana Brnabic dhe vëllain e saj, Igor Brnabic, partnerë në biznese të ndryshme.

“Kohëve të fundit ata kanë blerë disa ndërtesa dhe kompani në Beograd. Më e rëndësishmja ndërtesa ‘Beogradjanka’ që ministri serb Sinisa Mali e ka blerë më 2020’n, e vitin e kaluar përflitej se ka blerë për 3.7 milionë euro atë të BIGZ. Një pjesë e hapësirës është ndarë për klinikën që do të hapet ku bashkëpronarë janë Milica Djurdjic, partnerja e Ana Brnabic dhe Djihan Abazovic, vëllai i Dritan Abazovic” ka thënë Predrag Popovic.

Megjithëse kompanitë ruse “Marera Real Estate Partners” dhe “Marera Properties” janë të regjistruara në Rusi, emrat e pronarëve në letër nuk janë të njohura për publikun në Serbi, thotë Poppovic, por janë të ndërlidhura me ministrin serb Sinisa Mali.

“Disa prej tyre, e është një listë prej dhjetëra emrash, që nuk kanë domethënie as tek ne as tek ju, por ata janë bashkpunëtorë të tij në disa kompani offshore dhe dy nga ministria e financave, të cilën ka dy vite që e udhëheqë Sinisa Mali. Kështu që s’ka dilema se janë të lidhura direkt me të” sipas Popovic.

Pronari i tretë i klinikës nuk dihet, por aty ku është Sinisa Mali, aty e gjeni edhe Andrej Vucic, theksoi Popovic.

Tek ky fakt të çon fakti se Andrej Vucic ka marrëdhënie të afërta partneriteti me Predrag Mali, vëllain e ministrit Sinisa Mali. Ata së bashku kryejnë lloj lloj biznesesh në Beograd. A do të kyçet Andrej përmes logjistikës, financave apo në ndonjë mënyrë tjetër, kjo është çështje e marrëveshjes. Në çdo rast, në secilin biznes ku është i përfshirë njëri nga vëllezërit  Mali, aty është edhe Andrej Vucic pretendon Popovic.

Sipas tij, është e qartë se kryeministri Abazovic ka shumë arsye që të kthejë borxhet presidentit serb Aleksandar Vucic, mes tjerash edhe për shkak të klinikës, të cilën siç pretendon do ta hap vëllai i tij Djihan.

“Ai pranoi që të jetë pjesëmarrës në atë që Aleksandar Vulin, ministri i tanishëm i policisë, e quan bota serbe. Kur Aleksandar Vulin e quan bota serbe, ai mendon bota e Vucic. Aleksandar Vucic punon vetëm për vete.”

Ai tani po shfrytëzon Dritan Abazovic që të realizoj disa interesa të vet në Mal të Zi, si kishte bërë deri dje e ndoshta e edhe në të ardhmen me Andrija Mandic dhe pionë të tjerë. Mendoj se kjo lloj ujdie, që nuk ka lidhje me vullnetin e Malit të Zi e as të Serbisë, nuk është në interesin as të Malit të Zi e as Serbisë, e as rajonit sipas Popovic.

Kryeministri malazez Abazovic, që në shkurt, asokohe në postin e zëvendës kryeministrit, në një intervistë me televizionin publik kroat HRT, kishte konfirmuar se presidenti serb Aleksandar Vucic, vëllait të tij – që sipas Abazovic është një mjek i shkëlqyer –  i ka dhuruar një klinikë në Beograd. Kryeministri Abazovic më vonë ishte arsyetuar se deklarata ishte ironike, që ishte demantuar më vonë nga gazetarja e HRT.