Dhuna në “It’s My Home”, KPM del sërish me sqarim pasi e ndërpreu emisionin

Komisioni i Pavarur për Media ka thënë se sipas të gjeturave nga monitorimi që ky institucion i ka kryer më 14 shtator 2022, është konstatuar se “1st Channel” transmeton program të një formati të “reality show” i emërtuar si “Its my home”, pa aprovim të KPM-së për ndryshim të skemës programore, raporton Paparaci.

Sipas KPM-së, për të gjitha këto ndryshime në skemën programore të OSHMA 1st Channel, nuk ka miratim paraprak me shkrim nga ana e KPM-së, prandaj kjo përbën shkelje të nenit 4 paragrafit 8, Formati i Programit, të Kushteve dhe Termeve të Licencës Përgjithshme të Licencës, përkatësisht paragrafit 4.8.1 të këtyre kushteve.

“Prandaj KPM ka kërkuar nga OSHMA 1st Channel që të ndërprejë transmetimin e programit të formatit “reality show” me emrin “Its my home” dhe t’i përmbahet formatit të programit të licencuar. Dështimi për të vepruar sipas kësaj kërkese do të rezultojë me masa të menjëhershme sanksionuese të parapara me Ligjin e KPM-së”, thuhet në reagimin e KPM-së.

“Gjithashtu, KPM është duke monitoruar programin e 1st Channel për të vlerësuar pajtueshmërinë edhe me aktet tjera nënligjore të KPM-së, për sa i përket përmbajtjeve të transmetuara në programin “Its my home” dhe në varësi nga gjetjet, do të marrë vendim për këtë çështje”, përfundon kumtesa.

Të enjten, pronari i televizionit “First Channel”, Valon Maloku, njofton se Komisioni i Pavaruar i Mediave ka vendosur për ndërprerjen e transmetimit televiziv të “It’s my home”, kjo pasi aty u shfaqën skena dhune, ku më pas ndërhyri edhe policia dhe hapi rast për “sulm dhe kansoje”.

Njoftimin për ndërprerjen e transmetimit në TV e ka dhënë Maloku me anë të një postimi në profilin e tij në Facebook.

“Sipas vendimit të KPM-së programi Reality show “It’s my home” ndërprehet menjëherë në transmetimin televiziv”, ka konfirmuar Maloku.

“It’s my home” vazhdon të transmetohet në kanalin tonë në youtube 24 orë me 7, deri në një vendim tjetër”, tha ai.