Detaje të reja nga vizita e shefes së USAID-it në Kosovë dhe Serbi pas rritjes së tensioneve në veri

Shefja e lartë e zhvillimit ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara, Samantha Power, do ta vizitojë këtë javë Kosovën dhe Serbinë, ku do të takohet me udhëheqësit e dy vendeve. Kjo vizitë vjen në një moment kur liderët e SHBA-së dhe Evropës po punojnë për t’i stabilizuar marrëdhëniet mes dy ish-armiqve të kohës së luftës në një kohë tensionesh të shtuara.

Power bëhet shefja e parë e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) që udhëton në Serbi, vend që mban lidhje të ngushta historike dhe kulturore me Rusinë.

Power pritet të takohet me kryeministrat dhe presidentët e të dyja vendeve, ku pritet t’i inkurajojë ata të qëndrojnë në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve mes tyre dhe të vazhdojnë të ecin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Ajo “do ta theksojë mbështetjen e USAID-it për rrugën e Serbisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian përmes partneritetit tonë për të nxitur rritjen ekonomike dhe zhvillimin demokratik”, thuhet në deklaratën e publikuar nga USAID.

Power do të jetë zyrtarja e parë e lartë e qeverisë amerikane që do të udhëtojë në rajon që kur Bashkimi Evropian ndërmjetësoi një takim midis krerëve të dy qeverive javën e kaluar në Bruksel.

Që 12 vjet, BE-ja ka punuar në ndërmjetësimin e negociatave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Brukseli dhe Shtetet e Bashkuara shpesh ndërhyjnë për të qetësuar tensionet midis dy kryeqyteteve, veçanërisht së fundi kur ka pasur tensione të ngritura në veri të Kosovës.

“Nëse s’nënshkruan, të djegin makinën”: Rrëfimet e punëtorëve të dorëhequr nga institucionet e Kosovës

Gjithashtu, Power do të takohet në Kosovë dhe Serbi me anëtarë të shoqërisë civile, udhëheqës biznesi, gazetarë dhe të tjerë, përfshirë ish-lojtarin serb të NBA, Vlade Divaq, dhe atletë me aftësi të kufizuara.