Detaje për personin që u vra sonte në Vlorë… kishte ardhur nga Spanja para 10 ditësh VIDEO

Një person është vrarë me breshëri plumbash mbrëmjen e sotme në Vlorë.

Top Channel mëson se viktima është Delon Troqe, 38 vjeç. Policia njofton se 38 vjeçari  ka ndërruar jetë në spitalin e Vlorës, pas plagëve të marra.

Viktima

Ngjarja ka ndodhur në një servis mbas pallatit të sportit.

Viktima kishte 10-15 ditë që ishte kthyer nga Spanja. Top Channel mëson se viktima ka qenë dhe i dënuar më parë, dhe ka bërë disa vite burg, edhe në moshën e adoleshencës.

Troqe ka pasur një servis skafesh në Vlorë, madje dhe në vendin ku u vra kishte një servis.

Nga pamjet e siguruara nga Top Channel shihet një e afërme e viktimës e cila qan dhe bërtet mbi trupin e pajetë.

Vrasja dyshohet të ketë ndodhur për prishjen e pazareve të drogës.

Policia ka shkuar menjeherë në vendngjarje, ka ngritur pika kontrolli, dhe ka rrethuar zonën, si dhe janë shoqëruar disa persona që  mund të kenë djeni për ngjarjen, njëkohësisht po sekuestrohen edhe pamjet filmike.

Po ashtu në Sherishtë të Vlorës është gjetur dhe një makinë e djegur dyshohet e autorëve.

Njoftimi

Rreth orës 21:50, në lagjen “Pavarsia”, Vlorë, në rrethana ende të pa qarta është qëlluar me armë zjarri shtetasi D. T., 38 vjeç, banues në Vlorë, i cili si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë në spitalin e Vlorës.

Shërbimet e Policisë kanë mbërritur menjëherë në vendgjarje ku është rrethuar zona dhe janë ngritur pika kontrolli në hyrje dhe në dalje të qytetit dhe përgjatë rrugëve që lidhin njësitë administrative me qëllim kapjen e autorit/ve.

Gjatë krehjes së zonës, në fshatin “Sherishtë”, nga shërbimet e Policisë është konstatuar duke u djegur një automjet i braktisur, i cili paraprakisht dyshohet se mund të jetë i autorit/ve të ngjarjes.

Gjithashtu janë shoqëruar në Komisariat disa shtetas të cilët dyshohen se kanë dijeni për ngjarjen.

Grupi hetimor po vijon punën për sekuestrimin e çdo prove materiale që do ti shërbej zbardhjes së ngjarjes dhe identifikimit të autorit/ve.